“Më mbeti peng rasti me Tiranën”, Pedro “kërcënon” Skënderbeun: Nëse luaj premtoj që…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 24, 2021 | 19:13

“Më mbeti peng rasti me Tiranën”, Pedro “kërcënon” Skënderbeun: Nëse luaj premtoj që…

Egnatia e ka lënë pas barazimin në Kupë me Turbinën dhe tani me interes pritet nga rrogozhinasit përballja e javës së tretë të Superiores me Skënderbeun. Një nga afrimet që pritet të lërë gjurmë këtë sezon në Rrogozhinë është edhe braziliani Pedro Augusto Kabral.

Kabral Egnatia

Për “Panorama Sport” sulmuesi shprehet se është në dispozicion të stafit dhe të kontribuojë për Egnatian. gati të luajë kurdo që i kërkohet për të bërë më të mirën. Pedro luajti ndaj Tiranës, ku shpërdoroi edhe një mundësi shënimi, nga ku mund të vinte fitorja.

“Jam i kënaqur që ndaj Tiranës pata minuta në dispozicion. Falënderoj stafin dhe drejtuesit që besuan tek unë. U ndjeva mirë kur më thirrën që të bëhesha gati për të luajtur. Pasi u përshtata me lojën, veç pasimeve e kombinimeve me shokët pata edhe një mundësi për shënim. Dua të veçoj rastin kur isha pranë golit dhe portieri i Tiranës u tregua më i shpejtë në ndërhyrje. Më ka mbetur peng ai rast pasi jo vetëm që do të shënoja, por do t’i jepja avantazhin Egnatias. Ndaj Tiranës kishim mundësi për të bërë më mirë. Ajo ndeshja kaloi dhe siguruam vetëm një pikë në atë 90 minutësh të paparashikueshëm.

Ne duhet të bëjmë gjithçka në çdo fushë që të mos dalim duarbosh. Mundësitë i kemi dhe s’na mungon asgjë vetëm se duhet të përqendrohemi në çdo takim. Ambientimi? Që prej ardhjes e deri tani jam ndjerë mirë te skuadra e re, vetëm se pësova një dëmtim përpara nisjes së kampionatit. Isha disa ditë në fazë riaftësimi dhe tashmë jam gati sa herë të më kërkohet. Edhe dëmtimet janë pjesë e karrierës, vetëm duhet të besojmë se me punë arrihet gjithçka. Pres me padurim të shlyej mungesën që bëra me Kukësin, ku do kisha dëshirë të luaja po dëmtimi më pengoi.

Tek Egnatia kam ardhur për të bërë dhe treguar më të mirën. Skënderbeu? Nëse luaj ndaj Skënderbeut shpresoj dhe premtoj të mos dal pa shënuar. Dëshira për të treguar vlerat e mia mbetet gjithmonë e madhe. Presidenti e drejtuesit na mbështesin dhe ne duhet tua shpërblejmë respektin me radhë. Tifozët nga ana tjetër na bëjnë të ndjehemi si në shtëpinë tonë. Gëzoj formë të mirë dhe me shënimin e golit të parë do ta kem më të lehtë në vijim. Çdo kundërshtar duhet të na vlerësojë pasi ne kemi objektivin tonë”, u shpreh Pedro për gazetën.

ALDO BUZI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"