“Me Laçin kam kontratë dhe 1 vit, Kaka shembulli im”, Lushkja: Kam pasur oferta nga Superiorja, por… ( E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 16, 2021 | 19:25

“Me Laçin kam kontratë dhe 1 vit, Kaka shembulli im”, Lushkja: Kam pasur oferta nga Superiorja, por… ( E PLOTË)

Regi Lushkja është një nga pikat e forta te skuadra e Laçit. Mesfushori fantazist ishte ai që shënoi golin e nderit në Belgjikë, në ndeshjen e kthimit për turin e tretë në Konferencë Ligë. Në një intervistë për “Panorama Sport”, Lushkja komenton paraqitjet e bardhezinjve në Europë, formën e tij personale, por gjithashtu flet për deklaratat e trajnerit Duro që e sheh si futbollist me kapacitet për të luajtur në Superligën e Belgjikës.

Goli i Lushkjas

U eliminuat nga një klub i madh si Anderlehti. Si do ta përkufizoni aventurën europiane për ju personalisht dhe për Laçin?

Të themi të drejtën, Kupa Europiane këtë vit na kanë shkuar në mënyrë të shkëlqyer. Kemi bërë paraqitje dinjitoze, duke kaluar dy ture. Përballë kishim ekipe mjaft të forta, por ne bëmë historinë duke luajtur për herë të parë në turin e tretë në Europë.

Keni shkëlqyer në ndeshjet e fundit. Goli ndaj Anderlehtit, a është kulmi i karrierës së deritanishme për ju?

Është e vërtetë që kemi bërë paraqitje shumë të mira në këto ndeshje kualifikuese për Konferencë Ligën. Edhe në aspektin individual jam i kënaqur, pasi kam bërë paraqitje shumë të mira. Kam ndihmuar ekipin me golat dhe asistet e mia dhe besoj se është një nga momentet e mia më të mira në karrierë.

Trajneri Duro tha në një prej deklaratave të tij së fundmi se mund të luani fare mirë edhe në Superligën e Belgjikës. Ndjesia juaj për këtë deklaratë?

E kam dëgjuar intervistën e profesorit. Ai ka dhënë mendimin e tij, sepse ai e di mirë se çfarë kualitetesh kemi ne si skuadër, por edhe unë individualisht. Përderisa trajneri e ka thënë që unë mund të luaj në kampionatin belg, pse jo, atëherë besoj se vërtet mund ta bëj diçka të tillë.

Si është kontrata juaj me Laçin?

Kontrata ime me Laçin është deri në verën e vitit 2022.

Cili ekip shqiptar apo i huaj ju ka bërë ofertë së fundmi?

Ka pasur interesime nga disa ekipe, por synimi im është që të luaj jashtë vendit.

Ju jeni një numër 10 tipik. Cili lojtar ju frymëzon në futbollin botëror?

I ndjek të gjithë futbollistët, sidomos në rolin tim. Sa herë që i shoh, i studioj për stilin e lojës. Ish-lojtari që e kam si frymëzim, mund të them Kaka, ndërsa aktualisht është Mesut Ozil.

Ju dhe Ardit Deliu jeni pjesë e Laçit prej vitesh, si futbollistë të formuar te Besa. Çfarë mesazhi keni për skuadrën e vendlindjes?

Unë kam disa sezone që luaj me Laçin dhe sinqerisht më vjen keq që Besa nuk është në elitën e futbollit shqiptar, sepse e meriton. Bëhet fjalë për një ekip me traditë dhe është djepi i futbollit shqiptar. Unë uroj që sa më shpejt të kthehet në elitë, sepse dua ta shikoj sa më lart. Besa është klubi ku unë u rrita dhe ekipi i qytetit tim, ndaj dua më të mirën për të.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"