“Me Kukësin si ndeshje boksi, t’i ruhemi grushteve”, Daja: Vetëm në Shqipëri ndodh kjo, Solomon mund të ketë rënë në grackë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 20, 2021 | 23:45

“Me Kukësin si ndeshje boksi, t’i ruhemi grushteve”, Daja: Vetëm në Shqipëri ndodh kjo, Solomon mund të ketë rënë në grackë

Trajneri i Partizanit, Ilir   Daja ka folur ditën e sotme për mediat, para ndeshjes së nesërme me skuadrën e Kukësit. Tekniku kryeqytetas është shprehur se është absurde që të dyja skuadrat të stërviten në të njëjtin kompleks, duke shtuar se diçka e tillë ndodh vetëm në Shqipëri. Më tej ai flet edhe për Solomonin, i cili është arrestuar nga policia, për dhunë ndaj të dashurës, duke thënë se sulmuesi ishte një nga më shembullorët te Partizani dhe më tej shton se mund të ketë rëndë në ndonjë grackë.

dAJA

“Stërvitja në një kompleks me Kukësin? Nuk është normale, ndodh vetëm në Shqipëri. Nuk ndodh në ndonjë vend tjetër. Ndoshta këtu mundet që të gjejmë momentin, që personat përgjegjës për punimet në kompleksin e ri të Partizanit, pra qeveria, mund të mbështesë një investim që presidenti Demi kërkon ta bëjë për të gjithë komunitetin e Tiranës, jo vetëm për Partizanin. Kështu u jepet jetë edhe investimeve të tjera, që shmangin edhe këto stërvitje të përbashkëta që nuk janë normale.

Gjendja e skuadrës? Grupi është i plotë, i vetmi shqetësim është që stërvitemi në një orar me pak diferencë me kundërshtarin. Nuk e bën dot manovrën taktike. Duhet të jemi më të vëmendshëm se në dy ndeshjet e para, pasi edhe Kukësi do të reagojë. Nëse duam të vazhdojmë dhe të shkëputemi me një rival si Kukësi, duhet të jemi seriozë dhe ta shtojmë diferencën e pikëve. Vëmendja duhet të jetë në maksimum dhe të sakrifikojmë të gjithë për të shkuar drejt 3 pikëshit.

Nga episodet duhet të kemi vëmendje. Të dyja ekipet kanë lojtar me bagazh të mirë lojtarësh dhe nëse ulet vëmendja loja mund të zgjidhet edhe nga episodet. Lojtarët me kualitet duhet të kenë sa më pak hapësira, pasi do të bëhej edhe më e vështirë.

Plotësimi i ekipit është një bonus goxha i mirë për ne. Veç treshes Çinari, Zhunior dhe Murataj, të tjerët ende nuk e kanë gjetur formën e tyre. E mira është se ka rivalitet në stërvitje dhe i afrohet garës. Kjo është arsyeja pse nuk kemi humbje gjatë këtij viti, por kemi më shumë fitore.

Kukësi rival? Të shtatë ekipet që janë me një diferencë pikësh jo shumë të madhe, janë në garë. Rolet ndërrohen shpejt dhe duhet të kemi vazhdimësi. Sigurisht Kukësi është një rival i joni, pasi nuk kemi ndonjë diferencë shumë të madhe që të kemi një qetësi karshi të tjerëve.

Partizani stervitje

Nuk dua të bëj kompetentin. Solomoni ka qenë një lojtar super korrekt. Në momentin e fundit pavarësisht se kishte firmosur në Kuvajt, erdhi me ekipin. Një person i tillë, mendoj se ka rënë në një grackë. Është një nga lojtarët më shembullorë që kemi pasur.

Dueli me Josën? Nesër, nëse do kishim një ambient ku nuk do shihnim seancat e njëri-tjetrit, do të ishte edhe një duel trajnerësh. Por në këtë ambient të hapur çdo gjë e kanë në dorë lojtarët. E gjitha merita e pozicionit në vend të dytë është meritë e lojtarëve.

Nuk e di se çfarë ndodh në boks, por e imagjinoj dhe po e spostoj në futboll. Do ruhemi të mos marrim shumë grushte, duke kundërsulmuar që pastaj të shkojmë drejt nokautit.

Nuk është e vështirë t’i zgjedh titullarët, do bëjmë rotacion që t’i kemi të gjithë të gatshëm. Ata që kanë ardhur nga stoli kanë treguar formë të mirë. Kanë punuar fort dhe e kanë gjetur kundërshtarin më të lodhur. Ky lloj rivaliteti dhe rotacioni do jetë i pranishëm edhe në vazhdimësi”, tha Daja.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"