“Me Kukësin bëjmë histori”, Gavazaj: Ju tregoj finten ndaj Vangjelit, fitore e madhe ndaj Tiranës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 11, 2019 | 21:59

“Me Kukësin bëjmë histori”, Gavazaj: Ju tregoj finten ndaj Vangjelit, fitore e madhe ndaj Tiranës

Kukësi zhvilloi merkato mjaft cilësore në verë, e një ndër ata që nuk do fjalë për ta përshkruar është ish-lojtari i Kombëtares Enis Gavazaj. Mesfushori prizrenas, në radhët e Kukësit, po arrin formën më të mirë e performanca në ndeshjen kundër Tiranës e tregoi më së miri këtë gjë. 

enis gavazaj

Në një intervistë të dhënë ekskluzivisht për “Panorama Sport”, Gavazaj flet për aventurën te Kukësi. Ai e thotë hapur se nëse nuk do besonte te titulli, nuk do ishte pjesë e verilindorëve. Mesfushori e shikon skuadrën në ngritje dhe beson shumë te kualiteti i shokëve të tij. Sa për rivalët duket se nuk i interesojnë, mjafton që skuadra e tij të bëjë gjënë e duhur, të fitojë çdo ndeshje radhe. Gavazaj ka dalë kampion me Skënderbeun dhe ka shkuar në fazën e grupeve në Europa Ligë me korçarët, ndërsa nuk ngurron të theksojë ndryshimet e të përbashkëtat mes dy ekipeve.

Kukësi i vërtetë ishte ndaj Tiranës apo mendoni se do të jetë më i fortë në vijim? 

Ndaj Tiranës ne do të kishim një përballje të vështirë dhe kjo ishte e parashikuar. Natyrisht, kur ndeshesh me të tillë kundërshtarë, ke një motiv ekstra, pa harruar që na nevojiteshin tri pikët. Për të rritur nivelin në çdo aspekt, na duhej një ndeshje e tillë dhe ajo natyrisht erdhi. Ishte një sfidë shumë e mirë nga ana e ekipit tonë, besoj se do të vazhdojmë me këtë formë pasi mendoj se brenda skuadrës kemi potencial. Kemi elementë që mund të bëjnë diferencën.

enis gavazaj

Trajneri dhe drejtuesit presin më tepër nga ju. E ndieni veten në formë maksimale apo do të jepni më tepër se kaq? 

Pa dyshim, jo vetëm ekipi, por edhe vetë personalisht pres që të jem edhe më mirë dhe të jem në ngritje nga ndeshja në ndeshje. Besoj se me ndihmën e bashkëlojtarëve do jem në nivelin tim maksimal. Gjithsesi unë gjithmonë jap maksimumin dhe më të mirën time. Kam besim te vetvetja dhe tek ekipi. Mund të bëjmë gjëra mjaft të mira të gjithë bashkë. Sa i përket skuadrës, mendoj se ekipi është duke kapur formën më të mirë, pasi kemi pasur shumë dëmtime dhe tani shohim se kthimi nga dëmtimet i disa lojtarëve na ka bërë edhe më të fortë. Kuptoj se skuadra po arrin pjekuri dhe jemi në një moment mjaft të rëndësishëm tani, ndaj na duhet të bëjmë hapa të sigurt e të mëdhenj. Në ndeshjen me Tiranën, ia arritëm.

Na e sqaroni pak momentin e golit. Në një rast ku shpesh lojtarët godasin portën menjëherë, ju i bëtë një driblim fantastik Vangjelit. Si e menduat në atë çast? 

Të them të drejtën, që nga marrja e topit, e mendoja atë gjë dhe shkoi mirë pasi arrita të shënoj. Ishte diçka natyrale që më erdhi instinktivisht, pra nuk e bëra të sforcuar.

Ju luani ndaj Teutës, ndërsa Partizani me Tiranën. Besoni se java do të flasë për ju, duke parakaluar të kuqtë? 

Ne do të futemi në ndeshjen tonë për ta fituar, e sa u përket ekipeve të tjera, nuk jemi duke menduar për ta. Ne mendojmë vetëm për veten dhe shpresoj që të dalim me pikë të plota.

Cila është kontrata juaj me Kukësin dhe çfarë ambiciesh keni për të ardhmen? 

Ajo është një marrëdhënie mes meje dhe klubit. Unë thjesht mendoj për Kukësin për sa kohë që jam këtu dhe do të bëj më të mirën. Besoj se edhe opinioni e di që Kukësi si ekip gjithmonë futet për të dalë i pari.

Ku ndryshon Kukësi nga ish-ekipi juaj, Skënderbeu? 

Nuk e di saktësisht, po besoj se ekipi i Skënderbeut në atë kohë kishte lojtarë që kishin luajtur së bashku për 4 ose 5 vite.

Çfarë i mungon Kukësit për t’u bërë si Skënderbeu i ditëve të arta? 

Besoj se Kukësi i ka të gjitha mundësitë që të ngjitet në ato nivele, pasi ka fituar gjithçka në Shqipëri dhe është një ekip që çdo vit është pretendent kryesor për titullin. Madje ishte edhe atëherë kur unë luaja për Skënderbeun. Pra, dua të them se Kukësi ishte dhe është në piacë. Skënderbeu kishte staf menaxhues më të madh, ishte klub më i fryrë sa i përket infrastrukturës duke qenë se Korça është një qytet i madh. Gjë që po e bën Kukësi tani, pasi po ndërton një stadium modern dhe ka një president shumë ambicioz, si Gjici.

Po të përbashkëtat? 

Unë shikoj shumë të përbashkëta. Skënderbeu kishte lojtarë me eksperiencë, të cilët Kukësi i ka. Ata u jepnin mundësinë të rinjve dhe Kukësi ua jep gjithashtu. E përbashkëta më e madhe është dëshira dhe mentaliteti fitues që të dyja skuadrat kanë. Unë kam shumë besim se Kukësi në javët në vazhdim do të jetë në nivelet më të mira të Skënderbeut.

Besoni te titulli? 

Pa dyshim që po. Nëse nuk do kisha besuar te titulli, s’do të isha te Kukësi.

SKERDILAID SULOZEQI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"