“Me kombëtaren do të shkojmë larg në Botëror”, Mesi: Mbape është një kafshë, me Nejmar kuptohem symbyllur

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 27, 2022 | 21:15

“Me kombëtaren do të shkojmë larg në Botëror”, Mesi: Mbape është një kafshë, me Nejmar kuptohem symbyllur

Ylli i Argjentinës, Lionel Mesi ka dhënë një intervistë për televizionin “TUDN”, duke folur për tema të ndryshme. Përveç kombëtares së vendit të tij, ai ka prekur dhe karrierën te Paris SG-ja, si dhe raportet me dy shokët e repartit, Kilië Mbape dhe Nejmar. “Pleshti” nuk i ka kursyer elozhet për ta.

nejmar mesi mbape

“Kilië është një futbollist i veçantë, një lojtar që sulmon hapësirat, është tmerrësisht i shpejtë, e njeh mirë portën. Praktikisht është një lojtar i kompletuar, është një kafshë e vërtetë, që do të jetë ndër më të mirët për vite me radhë. Sa për Nejmarin, nuk ka nevojë për shumë komente, sepse me të kuptohemi symbyllur. Koha që kemi kaluar duke luajtur së bashku te Barcelona na ndihmon shumë.

Realisht do të kisha dashur të luanim më shumë së bashku te Barcelona, por jeta na bashkoi sërish në Paris. Jemi të dy të lumtur te PSG-ja”, ka thënë Lionel Mesi. Duke qëndruar te Paris SG-ja, argjentinasi ka prekur dhe eliminimin e sezonit të kaluar në Ligën e Kampioneve përballë Realit.

“Është një plagë ende e hapur. Por ne nuk heqim dorë nga objektivi ynë për ta fituar Ligën e Kampioneve. Eliminimi në sezonin e kaluar ka qenë i vështirë për t’u kapërdirë për vetëm mënyrën se si erdhi. Kemi bërë dy ndeshje të mëdha, por që jemi eliminuar për pakujdesi të vogla”, ka shtuar Mesi.

Leo nuk ka harruar të flasë dhe për kombëtaren argjentinase dhe Botërorin në Katar që starton pas dy muajsh. “Objektivi është të shkojmë sa më të përgatitur në Botëror. E dimë se për ta fituar do të jetë shumë e vështirë. Por ne jemi përgatitur për të bërë rrugë të gjatë në Katar. Mendoj se fitimi i Kupës së Amerikës na ka ndihmuar edhe më shumë”, ka thënë ai.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"