“Me këto paga, ky është niveli. Privatizimi është zgjidhja”, Lushnja “terapi” sulmit, Gjyla: Boll gënjyem veten

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 21, 2021 | 11:46

“Me këto paga, ky është niveli. Privatizimi është zgjidhja”, Lushnja “terapi” sulmit, Gjyla: Boll gënjyem veten

Lushnja është në pikë të hallit. Në mungesë të rezultateve dhe golave, skuadra po rrezikon edhe Kategorinë e Parë. Të gjithë janë të shqetësuar nga kjo situatë, përfshi edhe vetë Ilir Gjylën. Trajneri mendon se nuk mund të gënjehen më me lojën e mirë, ndaj kërkon reagim të menjëhershëm. Ai po punon ekstra me sulmuesit, për të zgjidhur ngërçin e golit dhe në mënyrë të veçantë po merret me Hugon da Silvën. Gjatë një interviste të dhënë për “Panorama Sport”, numri një i pankinës nuk e justifikon as humbjen me Besën dhe zgjidhjen e futbollit lushnjar e gjen vetëm te privatizimi.

Ilir Gjyla Lushnja

Vetëm 4 pikë në 5 javë, një start jashtë “modës” për Lushnjën. Çfarë nuk shkon?

Ka një moment që nuk thua dot më që luajtëm mirë dhe u mundëm, sepse mund të të besojnë 1-2 herë, por jo gjithmonë. Është e vërtetë që edhe me Besën luajtëm mirë, por nuk mund të gënjesh veten duke thënë që luajtëm mirë. Deri kur do të vazhdojmë kështu?

Cila është dobësia e Lushnjës?

Dobësia e Lushnjës është mungesa e shënimit të golit. Dalim shumë herë para portës. Edhe me Besën ndodhi e njëjta gjë. Mirë që nuk shënojmë, por bëjmë gabime të mëdha prapa. Jemi shumë të lirë. Është e vërtetë që jemi shumë të lirë në lojën në mbrojtje. Me pak vëmendje dhe me pak kujdes mund të mbrohemi shumë mirë.

Sa rëndon humbja?

Nuk ka justifikim! Jemi mundur me dy gola dhe gjykim shumë korrekt. Nuk mund të themi më që luajtëm mirë. Kjo është të gënjehesh me “lugë bosh”. Nuk mund të themi më: “Nuk bëmë golin, prandaj u mundëm”. Ne mirë që nuk bëjmë gol, por edhe pësojmë…

Ku jeni përqendruar këto ditë në seancat stërvitore?

Kemi punuar me sulmuesit këto ditë, sidomos me Hugon, sepse është lojtari që ka humbur më shumë raste nga të gjithë. Del 4 herë në një pjesë loje për gol dhe të mos bësh asnjë… Do të mundohemi të shënojmë golin. Nuk mund të marrësh pikë nëse nuk shënon.

Pse kjo krizë në futbollin lushnjar?

Duhet një natë dimri që të diskutojmë për këtë. Është e vërtetë që nga presidenca merren të gjitha ato që thuhen. Të gjitha ato që thuhen, jepen. Mirëpo, problemi është niveli sa jepen dhe si jepen. Sepse, siç thuhet: “Me tri aspra, dashka verë të mirë zotëria”. Ne kemi tri vite që nuk bëjmë zgjedhje, por bëjmë zgjidhje. Jemi të detyruar të marrim lojtarë me nivelin e buxhetit që kemi. Ne kemi marrë lojtarë që kanë ikur nga skuadrat e jera. U përforcua Erzeni dhe lojtarët që ikën i morëm ne.

Çfarë u mungon lojtarëve?

Ne i kemi lojtarët me paga, me rroga. Asnjë lojtar nuk është me kontratë në Lushnjë. Unë kam qenë në bisedime për të marrë të tjerë sulmues, të tjerë mesfushorë. Por, faktori kontratë, faktori lekë në dorë, blerje lojtari ka bërë që të bëj këtë zgjidhje. Skuadra e Lushnjës nuk është me zgjedhje, por zgjidhje.

Po nga lojtarët vendës nuk ka asnjë që ju bind?

Po, e them me bindje. Nga Lushnja nuk ka asnjë futbollist për të ardhur në ekipin e parë. Nga këta që kemi marrë nuk ka asnjë futbollist për të luajtur. Asnjë. I kemi marrë thjesht për të plotësuar 25 vetë, sepse Lushnja është katandisur që mezi plotëson 25-shen.

Dhe si ndahen?

Janë 12 veta që paguhen 600 mijë lekë. Janë 3 të tjerë, që marrin 500 mijë lekë. 10 veta që marrin nga 300 mijë lekë të vjetër. Me këto nivele pagash, mendoj që ky nivel futbolli duhet të jetë.

Lushnja vetë nuk shënon, por ndëshkohet nga futbollistë lushnjarë. A është ky një paradoks?

Kemi pësuar gola nga lushnjarë, që nuk i ka hequr njeri nga Lushnja. Atje marrin lekë. Nuk është hera e parë që kanë ikur nga këtu. Çdo njeri ikën atje ku ka kontratën më të mirë. Normalisht, edhe ne do të marrim ata futbollistë të atij niveli pagash që kemi. Skuadra jonë kështu është. Ky stan këtë bylmet ka.

Mendoni se privatizimi do ta shpëtojë futbollin lushnjar?

Patjetër, është e padiskutueshme. Vetëm kjo është zgjidhja. Nuk ka zgjidhje tjetër.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"