“Me këtë grup nuk ngjiten, duhen afrime të kujdesshme”, Memushi: Flamurtari është markë, jam gati të rikthehem!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 9, 2022 | 14:15

“Me këtë grup nuk ngjiten, duhen afrime të kujdesshme”, Memushi: Flamurtari është markë, jam gati të rikthehem!

Eqerem Memushi është gati të marrë drejtimin e Flamurtarit. Në një kohë që administratori Sinan Idrizi po heziton të konfirmojë Dritan Resulin dhe i ka vendosur ultimatum, një ish shpreh ambicien për të qenë trajner. Në një intervistë të dhënë enkas për “Panorama Sport”, 56-vjeçari e thotë troç që nuk do ta refuzonte ofertën. Garanton edhe atë që kërkon klubi, ngjitjen. Për këtë do t’i duheshin edhe disa përforcime serioze, pasi me grupin e vjetshëm objektivin e quan të paarritshëm. Nuk kishte si të mos komentonte edhe garën, të cilën e parashikon si një Superiore të dytë me emra “big” si Skënderbeu dhe Dinamo.

eqerem memushi

Memushi, si ngjitet Flamurtari në Superiore?

Të bëjë një merkato të kujdesshme. Me lojtarë që të jenë të një moshe relativisht të re dhe me kontrata afatgjata. Këtë duhet të bëjë edhe për vazhdimësinë.

Keni thënë që grupi nuk ju ngroh për ngjitjen, i qëndroni të njëjtit mendimi?

Patjetër që i qëndroj asaj që kam thënë. Skuadra ka nevojë për merkato. Nëse afrohen lojtarë me eksperiencë që të kenë minuta në këmbë dhe t’ia vlejnë, të gjitha mundësitë janë. Duke parë ecurinë dhe që probleme financiare nuk ka më, ka ardhur momenti të kthehet qetësia dhe Flamurtari të marshojë drejt objektivit.

Si e parashikoni Kategorinë e Parë me emra “big” si Skënderbeu e Dinamo?

Duke parë pozicionet e skuadrave, niveli i kësaj kategorie do të jetë shumë cilësor, do të jetë një Superiore. Them se është e mundur ngjitja. Flamurtari ka një emër më të madh se të gjitha skuadrat e Kategorisë së Parë. Është një skuadër që të tremb. Cilido nga këto ekipe, pavarësisht respektit, luan kundër një emri të madh të futbollit shqiptar, që ka bërë histori. Përgatitje në çdo ndeshje, mendja te ndeshja e radhës dhe respekt ndaj kundërshtarëve. Këtë duhet të bëjnë për t’u ngjitur.

Do të jetë në Superiore ekipi për 100-vjetorin?

Varet nga ambiciet e presidentit dhe merkatoja. Brumi duket në fillim të sezonit. Nëse skuadra menaxhohet mirë, jam plotësisht i bindur se ngjitemi. Por, me këtë skuadër që mbyllën kampionatin nuk të japin garanci.

Pse mendoni kështu?

Sepse nuk kemi parë ndonjë ndeshje të vërtetë. Kundërshtari më i madh i Flamurtarit këtë sezon ishte Labëria, pastaj imagjino skuadrat e tjera, me probleme infrastrukturore, pavarësisht respektit për to.

Ende nuk është konfirmuar trajneri Dritan Resuli. Nëse ju propozojnë ta merrni drejtimin e Flamurtarit, do të pranonit?

Flamurtari është një emër i madh. Është respekt dhe nder të rikthehem për herë të tretë në drejtimin e ekipit të zemrës dhe qytetit tim. Flamurtari në fund fare është markë që do kujdes në drejtim dhe menaxhim. Do të rikthehesha me kënaqësi.

Do ta premtonit ngjitjen në elitë?

Varet nga afrimet dhe çfarë lojtarësh do të kisha në skuadër. Shkopin magjik nuk e ka asnjë. Por unë do të bëja të pamundurën për ta çuar Flamurtarin atje ku e ka vendin. Për këtë duhen edhe futbollistë me eksperiencë dhe uri, si dhe të kenë ego individuale.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"