“Më kërkoi Kastrioti”, Alen Sherri në një linjë me Likën: Na shkatërroi gjykimi, ju tregoj të ardhmen

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 17, 2020 | 21:53

“Më kërkoi Kastrioti”, Alen Sherri në një linjë me Likën: Na shkatërroi gjykimi, ju tregoj të ardhmen

Alen Sherri ndryshon “kurs”. Nëse deri para disa javësh e shihte veten më larg Vllaznisë, tashmë paralajmëron qëndrimin. Afrimi i Hysen Dedjes në krye të pankinës dhe rikthimi si titullar e kanë bindur portierin që të mendojë seriozisht edhe rinovimin.

Sherri

Këtë e thotë edhe në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, teksa konfirmon edhe interesimin nga ana e Kastriotit. Nuk ngurron që të analizojë gjendjen e ekipit dhe shfaqet në një linjë me kapitenin. Ashtu si Gilman Lika, edhe 21-vjeçari evidenton se gabimet e arbitrave i kanë rënduar edhe më shumë kuqeblutë. Vërtet janë në zonën e rrezikut, por gardiani nuk i humb shpresat për mbijetesën.

Vllaznia e nisi me pretendime të mëdha sezonin dhe tashmë është e 8-ta. Sa të rrezikuar ndiheni?

Të them të drejtën, nuk e meritojmë atë pozicion. Nuk është vendi i 8-të për Vllazninë. Situata nuk është aspak pozitive për ne, por mendoj se do ta kalojmë.

Çfarë nuk shkoi si duhet këtë vit?

Duhet një analizë e gjatë për këtë. Di të them vetëm që po lëmë pikë aty ku nuk duhet. Edhe në takimin e fundit na ndodhi një gjë e tillë. Kemi lënë shumë pikë rrugës dhe jo gjithnjë për fajin tonë.

E keni edhe ju me arbitrat, ashtu si kapiteni Gilman Lika?

Po, në të njëjtën linjë jam. Gjykimi ka ndikuar jo pak në këtë ecuri dhe në pozitat ku ndodhemi. Kemi lënë shumë pikë prej gjykimit, të cilat i kanë marrë me pa të drejtë kundërshtarët tanë. Prandaj, po e ritheksoj, nuk ishte tërësisht faji ynë.

Nuk keni kaluar një sezon fort të mirë te Vllaznia, madje pas disa javësh në stol medituat edhe largimin në të ardhmen…

E vërtetë, por unë tani jam sërish titullar. Po e shikoj të ardhmen time, por vendimin do ta marr vetëm pasi të përfundojmë këtë sezon.

Kastrioti ju ka në plane, a keni pasur kontakte me ta?

Po, kam pasur kontakte nga ekipi i Kastriotit.

Dhe…?

Me ardhjen në stol të trajnerit Hysen Dedja dhe mbi të gjitha me këta emra që kemi në skuadër, më bënë të mendoj dy herë largimin. Me këtë dua të them që mund të qëndroj këtu.

Po nga Vllaznia a keni pasur sinjale rinovimi?

Po, edhe me drejtuesit e Vllazninë kam pasur bisedime formale, por e thashë edhe më herët, gjithçka do të përcaktohet pas përfundimit të kampionatit.

Këtë javë prisni Kukësin në Shkodër, a ka forcë Vllaznia që ta mposhtë këtë kundërshtar që garon për titullin?

Është një takim shumë i vështirë, por kjo nuk do të thotë që ne jemi dorëzuar. Me këtë motiv do të futemi në fushë për 270 minutat e fundit të këtij sezoni futbollistik.

Do të bëjmë më të mirën ndaj Kukësit këtë të diel, pavarësisht objektivave të kundërt që kemi. Nëse japim maksimumin, do të dalim me kokën lart nga kjo sfidë dhe më pas të shpresojmë që t’i largohemi zonës së rrezikut, derisa matematika të na mbajë në lojë.

ADMIR URUÇI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"