“Më kërkoi Ferguson kur isha te Dortmund”, basti i Levandovskit: Fitoj Championsin me Bajernin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 23, 2020 | 21:15

“Më kërkoi Ferguson kur isha te Dortmund”, basti i Levandovskit: Fitoj Championsin me Bajernin

Robert Levandovski buzëqesh teksa vështron ipad-in. “Jam shumë krenar për këtë ndeshje”, thotë ai, i fokusuar totalisht tek ekrani. Sulmuesit të Bajernit i është dhënë të shikojë rastet e një prej performancave më të mira në karrierën e tij. 

Leva

Bëhet fjale për gjysmëfinalen e Championsit, Borusia Dortmund-Real Madrid, nata kur polaku shënoi katër gola për verdhezinjtë.Ishte 24 prilli 2013 dhe një skuadër e mrekullueshme ishte duke fluturuar nën drejtimin e Jyrgen Klopit.

Levandovski nuk i ka harruar detajet e asaj ndeshjeje të parë të luajtur në Vestfahlen. “Kur shënon katër gola ndaj Realit, është diçka e veçantë, – u shpreh sulmuesi. – Goli i tretë ishte më i bukuri i ndeshjes”. Një pasim i marrë nga Shmelcer dhe një goditje vdekjeprurëse, Leva tronditi portën madrilene:

“Kisha shumë pak hapësira pasi në një krah ishte Pepe dhe në tjetrin Alonso, bëra vetëm një lëvizje dhe më pas godita me sa fuqi kisha duke shënuar. Ka momente kur koha është e limituar. Nëse mendohesh shumë, humbet gjithçka. Nëse ke mundësinë të zgjedhësh në sekondën e parë, bëje, përndryshe ndalesh nga mbrojtësit”.

Në atë kohë nuk kishte asnjë dyshim se polaku do të fitonte Champions-in. Por edhe sot, shtatë sezone më pas, polaku është ende duke pritur për të ngritur në qiell trofeun më të rëndësishëm për klube. Pasi iu bashkua Bajernit në 2015, Leva nuk e ka shijuar dot kurrë kënaqësinë që të fal ai trofe.

REKORDMENI

Kampionët e Bundesligës, Bajerni, janë në krye të tabelës pas 23 javësh, protagonist kryesor është pa dyshim numri 9 i tyre, Levandovski që ka shënuar 25 gola dhe ka dhënë 3 asiste. Vetëm 15 gola e ndajnë nga rekordi i Gerd Mylerit që në një sezon ka shënuar 40 gola. Për Robertin një meritë të veçantë ka edhe trajneri Hansi Flik, i cili ka sjellë një frymë të re që pas largimit të Niko Kovaçit.

leva

“Lojtarët kanë më shumë besim te vetja e tyre pasi e dinë se çfarë kërkon trajneri. Komunikimi është shumë herë më mirë se më parë. Ende besoj që një ditë do të luajmë në Champions dhe do ta fitojmë trofeun”. Edhe pse ka disa thinja më shumë në kokë, trupi i tij ende është në formë optimale. 31-vjeçari ndihet i ri dhe shumë i fortë fizikisht. Në këtë sezon ai ka shënuar deri tani 42 gola në të gjitha kompeticionet, duke përfshirë edhe ndeshjet me kombëtaren, edhe golin e shënuar ndaj Paderbornit në fund të ndeshjes, me të cilin i dha tri pikë të rëndësishme skuadrës së tij që për pak desh u surprizua në shtëpi nga skuadra që renditet e fundit në tabelën e renditjes.

“Askush nuk e di me saktësi se çfarë taktike do të përdorë një skuadër apo tjetër. Personalisht nuk përgatis asgjë para ndeshjeve në kuptimin e performancës që do të bëj në fushë. Thjesht u beson cilësive që ke dhe mundohesh të bësh më të mirën me atë që të ndodhet. Ndonjëherë bëj disa goditje në stërvitje duke shënuar gola të cilët nuk do të kisha mundësi t’i bëja gjatë lojës.

Them me vete se është vetëm një seancë stërvitore, pak rëndësi ka, kjo pasi luan pa presion. Në një ndeshje zyrtare gjërat ndryshojnë. Kur isha në Dortmund, vura bast me Klopin që nëse shënoj 10 gola, ai do të më jepte 50 euro.

Herën e parë shënova 3 nga 4. Më pas 5 nga 6 dhe më pas 7 nga 8. Pas tre muajsh arrita të shënoja 10 gola në 10 gjuajte. Më pas Jyrgeni u dorëzua dhe më tha: ‘Mjaft më, kjo është shumë për mua’. Ideja ishte të kisha mentalitetin e duhur dhe trajneri Klop ishte një mjeshtër kur vinte puna se si të motivonte”. Leva është i fiksuar pas mënyrës të së shënuarit. Për të është e rëndësishme që në momente të caktuara një sulmues të tregohet egoist.

levandovski

“Mund të luash mirë, të pasosh, të shërbesh për shokët e skuadrës, por në fund ajo që ka më shumë rëndësi është goli. Dhe për një sulmues është e rëndësishme të shënojë. Ajo që një sulmues duhet të bëjë është të ketë një mendje të qetë dhe të harrojë shpejt rastet e humbura gjatë një ndeshjeje. Para një sfide është i rëndësishëm përqendrimi, çlodhja dhe largimi i tensionit nga shpatullat”, thotë ai.

 ELOZHE PEPIT 

Leva çmon shumë vizionet taktike të Guardiolës dhe menaxhimin e Klopit. “Ata janë trajnerë të ndryshëm, por nëse i përzien mund të bësh diçka perfekte”. Suksesi i Liverpulit është merita absolute e trajnerit gjerman, sipas sulmuesit të Bajernit: “Ai njeri është i jashtëzakonshëm, nuk ka rëndësi se çfarë thotë, i beson gjithçka çfarë thotë. Ndërsa Pep është ndryshe. Kur erdhi në Mynih, shumë menduan se unë do të isha jashtë rolit tim dhe më duhej të luaja në një pozicion tjetër. Por ai e ndryshoi skuadrën rreth meje pa humbur asgjë nga filozofia e lojës që kishte në mendje”.

levandovski

BISEDA ME FERGIN 

Robert pranoi se ishte pranë kalimit te Mançester Junajtid para se të kalonte te Bajerni i Mynihut. “Sër Aleks Ferguson më telefonoi kur isha te Borusia. Po mendoja seriozisht të shkoja te Mançesteri, pasi një djalosh si puna ime nuk mund t’i thoshte jo njërit prej trajnerëve më të mëdhenj në botë. Ishte një nga ditët më të veçanta në jetën time, por tani nuk pendohem që kam zgjedhur bavarezët. Jam i lumtur këtu dhe dua të fitoj sa më shumë trofe me këtë fanellë”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"