“Më kanë injoruar djalin për kosovarë që u marrin lekë”, shpërthen babai i lojtarit më të aktivizuar në Greqi (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 17, 2018 | 19:00

“Më kanë injoruar djalin për kosovarë që u marrin lekë”, shpërthen babai i lojtarit më të aktivizuar në Greqi (E PLOTË)

Fatjon Andoni ësh të një 27-vjeçar me origjinë nga Dukati i Vlorës dhe prej tre sezonesh është lojtari shqiptar më i aktivizuar në Superligën greke me klubin e AEL Larisës. Mirëpo, edhe pse vlerësohet në maksimum nga mediat greke për performancën e tij si mesfushor qendre, ai asnjëherë nuk ka marrë një ftesë nga Kombëtarja shqiptare. Është përfolur shumë në periudhën kur trajner ishte Xhani De Biazi, por edhe së fundmi me Kristian Panuçin. Gjithsesi, asnjë shans për mesfushorin që mban edhe shiritin e kapitenit të Larisës, duke vazhduar më së miri traditën e shqiptarëve te kjo skuadër, nga ku më i famshmi ka qenë i ndjeri Lefter Millo.

Familja e Andonit ka emigruar në Greqi në vitet ’90 dhe nuk ka dashur kurrë që lojtari të angazhohet me përfaqësueset e moshave helene, edhe pse mundësitë i ka pasur disa herë. Por, durimi e ka një kufi dhe babai i lojtarit, Leonard Andoni, tregon të gjitha prapaskenat e asaj që ai e cilëson si mosdhënie haku të të birit nga FSHF. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, babai i mesfushorit flet për bisedën me presidentin Armand Duka, kontaktet me De Biazin dhe deri te Panuçi. Gjithashtu, ai tregon edhe habinë e trajnerit italian të Larisës, Xhianluka Festa, rreth mosthirrjes së Fatjonit në Kombëtare.

andoni

Pse mendoni se djali juaj ka merituar një ftesë prej kohësh nga Kombëtarja dhe nuk i është dhënë kjo mundësi?

Argumenti më i freskët është kriteri i Panuçit, që thoshte së fundmi se nuk kam marr “X” lojtar, pasi s’ka minuta në këmbë me klubin. Djali im, përveçse kapiten i Larisës në Superligën helene, ka katër vite që nuk ka dalë një minutë nga fusha, duke qenë lojtari shqiptar më i aktivizuar në kampionatin grek. Nëse nuk më besoni, shikoni statistikat. Nuk e di se çfarë duhet të bësh më shumë për të merituar të paktën një shans në ndeshjet miqësore të Shqipërisë.

Në gjithë këtë periudhë kur Andoni ka qenë i afirmuar në kampionatin grek, a keni pasur kontakte me FSHF-në apo trajnerët e Kombëtareve…?

Personalisht kam folur me Dukën direkt, por me keqardhje mund të them se më ka gënjyer, duke më anashkaluar me idenë se nuk dashka trajneri. Nuk e di se çfarë kriteri përzgjedhjeje kanë dhe injorojnë një lojtar që është stabël prej vitesh në Greqi, ndërsa marrin të tjerë, që pa i ofenduar, por këtu janë futbollist të dorës së dytë.

Me Panuçin keni pasur ndonjë kontakt?

Menaxheri i djalit e ka telefonuar disa herë, por Panuçi me një arrogancë të paparë e ka injoruar totalisht. Më vjen turp nga kjo situatë, pasi edhe në klubin e Larisës po habiten të gjithë sesi ka mundësi që kapiteni i tyre nuk thirret as për miqësore nga Shqipëria. Panuçi merr Bashën 33 vjeç për ndeshje miqësore, ndërsa nuk i jep të paktën një shans një lojtari që aktivizohet rregullisht dhe vlerësohet nga të gjithë në Greqi. Nuk e them këtë se është djali im. Nuk kam asgjë as me Bashën.

Po thoni “më vjen turp”…?

Rasti më i freskët është habia e trajnerit italian të Larisës, Xhianluka Festa, i cili ka drejtuar edhe Kaljarin në Serinë A pak vite më parë dhe ka qenë ish-lojtar i Interit. Pasi mësoi që Andoni është shqiptar, i tha djalit: “Si ka mundësi nuk të grumbullon Panuçi, nuk di të ketë Shqipëria ndonjë më të mirë se ty në mesfushë?!” Djali është shumë i mërzitur nga kjo situatë, sepse e ka ndërgjegjen e pastër dhe është i bindur që e meriton plotësisht fanellën e Kombëtares. Më shumë tani i vjen keq trajnerit Festa, i cili nuk ka as 1 muaj që ka marrë drejtimin e Larisës. Në Kombëtare janë ndërruar disa trajnerë dhe vetëm djali im s’ka marrë një shans, edhe pse prej vitesh janë ftuar anonimë. Unë nuk jam i pasur, s’kam as miq të fortë për të lobuar. Jam një hallexhi që më dhemb fakti pse i hanë hakun djalit.

Ju mendoni se duhet mik i fortë për të qenë në Kombëtare?

Përbuzjen e kemi ndier që në kohën e De Biazit. Kam folur me shumë njerëz në FSHF dhe të gjithë më kanë thënë të njëjtën gjë: çdo gjë varet nga Duka. Tani Panuçi bën sikur nuk shikon. Më duket një njeri i paedukuar. Ndihem keq, pasi kur ishte De Biazi i thoshin menaxherit të djalit se do ta grumbullojnë, pastaj kur shpallej lista kuptohej lehtë që merrnin kosovarë anonimë. Këtyre të fundit iu merrnin lekët dhe i pajisnin me pasaporta. I grumbullonin një ndeshje dhe më pas nuk i ftonin më. Por, djali im nuk është i këtij niveli, e meriton të jetë në Kombëtare me atë që jep në fushë. Unë nuk jam biznesmen. Djalin e kam edukuar me dashurinë për Shqipërinë, ndërsa ka ardhur në Greqi foshnjë. Pse të kthehet kjo situatë në urrejtje… Shqipëria e ka ulur shumë djalin tim.

JORGIS MEMO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"