“Më ka zhgënjyer pak Flamurtari, shpejt nisim… shkëputjen”, kërcënon Danaj: Dinamo nuk fal pikë në shtëpi!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 18, 2022 | 11:10

“Më ka zhgënjyer pak Flamurtari, shpejt nisim… shkëputjen”, kërcënon Danaj: Dinamo nuk fal pikë në shtëpi!

Kishte një mundësi të mirë për të shënuar në Korçë, por fati nuk ishte me të. Redon Danaj ka fituar direkt fanellën e titullarit te Dinamo, por në dy ndeshjet e luajtura deri tani nuk e ka gjetur dot rrugën e rrjetës.

REDON DANAJRedon Danaj, mesfushori 22-vjeçar kur prezantohej te Dinamo

E megjithatë, kjo nuk e pezmaton lezhjanin. Ai po e shijon këtë aventurë dhe këtë nuk ngurron që ta pohojë gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”.

“Nuk ka nevojë të them shumë gjëra, dihet kush është Dinamo në futbollin shqiptar dhe unë jam i lumtur që jam bërë pjesë e saj. Detyra ime është ta justifikoj besimin me atë që jap në fushë.

Jam në një skuadër me emër të madh, me traditë dhe me shumë lojtarë në përbërje. Jam ndier shumë mirë që ditën e parë”, tha fillimisht 22-vjeçari, që po luan pas sulmuesve te blutë.

PIKËT – Më tej ai theksoi se u mungojnë 2 pikë nga ndeshja me Skënderbeun: “Në Korçë i patëm rastet për të fituar, ndaj them se na mungojnë 2 pikë. Megjithatë, kampionati është shumë i gjatë dhe besoj se Dinamo do të dijë të bëjë diferencën dhe të kryesojë bindshëm për të arritur objektivin e Superiores. Nuk ka vend për eufori, sepse nuk do të kemi asnjë ndeshje të lehtë”.

BURRELI – Redon Danaj është një nga ata që e njohin më mirë kundërshtarin e radhës, Burrelin. “Ata kanë një skuadër me lojtarë të mirë dhe am i sigurt se në Tiranë do të shtrëngohen për të marrë pikë. Vlerësimi ynë duhet të jetë në maksimum, sepse siç e theksova, asnjë ndeshje nuk do të jetë e lehtë. Dinamo nuk mund të falë asnjë pikë në shtëpi. Jemi karikuar për të dhënë gjithçka në fushë ndaj Burrelit”, tha mesfushori.

RIVALITETI – Dy javë kampionat janë shumë pak për gjykuar, megjithatë e kanë dhënë ndonjë mesazh për rivalitetin. “Rivalitet do të ketë patjetër, pasi ka shumë emra të mëdhenj në Kategorinë e Parë. Tani jemi disa skuadra me të njëjtën kuotë pikësh. Në këto dy javë, të them të drejtën, më ka zhgënjyer pak Flamurtari. Megjithatë, shohim punën tonë. E dimë që ndaj Dinamos do të luajnë të gjithë fort dhe duhet të jemi të përgatitur e do të luftojmë për të bërë sa më parë shkëputjen”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"