Më i miri në Itali dhe i dyti në Europë, Thomas Strakosha ka në duar fatin e Lacios

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 23, 2020 | 14:00

Më i miri në Itali dhe i dyti në Europë, Thomas Strakosha ka në duar fatin e Lacios

Pritjet e Thomas Strakoshës janë për rekord. Trajneri Simone Inzagi, në skuadrën e tij, nuk ka vetëm kryegolashënuesin e Serisë A, por edhe mbrojtjen me më pak gola të pësuar, ku saraçineska kryesore e prapavijës është pikërisht portieri i Kombëtares së Shqipërisë. 24-vjeçari i talentuar ka shënuar emrin e tij si protagonist absolut me bardhekaltrit në këtë sezon, ku po shijon një ëndërr të madhe. 

strakosha lacio

Referuar një studimi nga ana e “Corriere dello Sport”, Thomasi kryeson listën e portierëve në kampionatin italian, referuar përqindjes së pritjeve. Jo vetëm kaq, por me këtë statistikë, gardiani kuqezi është i dyti edhe në krahasimin me të gjithë portierët e pesë ligave kryesore të kontinentit.

SERIA A – Lacio është e dyta në renditjen e Serisë A, me vetëm një pikë më pak sesa Juventusi kryesues. Teksa në konsideratë janë marrë paraqitjet e portierëve që kanë të paktën 20 prezenca në kampionat, Thomas Strakosha është mbrojtësi ekstrem më i fortë i Italisë me përqindjen më të lartë të pritjeve. Me 75 pritje nga 95 që ka parë t’i vijnë në kuadratin e portës, shqiptari ka ndaluar 77.9% të tyre. Ai që ndjek Strakoshën në renditje është Luxhi Sepe i Parmës me 77.3% dhe Marko Silvestri i Veronës që mbyll podiumin me 76.2%.

strakosha

MUND EDHE “MILANEZËT” – Strakosha çdo vit që kalon bëhet edhe më i fortë mes kuadratit dhe emri i tij josh shumë klube të mëdha në Itali dhe Europë, sepse ai mund të mburret edhe me faktin që me statistikat e deritanishme lë pas edhe dy gjigantët e portave të ekipeve milaneze. Thomasi mposht deri tani edhe interistin Samir Handanoviç ashtu sikurse milanistin Xhanluixhi Donaruma, respektivisht me 75.2% dhe 70.6% të topave të ndaluar në kuadrat.

SUPER EDHE BERISHA – Por Shqipëria nuk mburret vetëm me Strakoshën… Sepse, në Serinë A është Etrit Berisha portieri me numrin më të madh të pritjeve, deri në këtë fazë të kampionatit, 104 të tilla. Mirëpo, në raport me goditjet që ka marrë në kuadrat, gardiani tjetër kuqezi ka ndalur 70.4%, vetëm 0.2% më pak sesa Xhanluixhi Donaruma.

Thomas-Strakosha-Source-Getty-Images

EUROPA – Rekordi për Strakoshën vijon edhe në raport me homologët e skuadrave të tjera europiane. Portieri shqiptar, në krahasimin kontinental, gjendet në vend të dytë. Vetëm Xheronimo Ruli i francezëve të Montpeliesë ka bërë më mirë në krahasim me Strakoshën, duke ndaluar 78.1% të gjuajtjeve, ndërsa ai që kompleton podiumin është një tjetër portier që luan në Francë, Predrag Rajkoviç i Reims. Shkurt, sezoni dhe objektivat sezonalë të Lacios kalojnë mbi të gjitha edhe nga duart e Thomas Strakoshës, aq sa për të nënvizuar edhe instinktet e tij fantastike që ka shfaqur sivjet, mjafton të theksosh se portieri i Realit të Madridit, Tibo Kurtua, është vetëm i teti në renditjen e pritjeve sezonale.

/PANORAMASPORT.AL/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"