“Më i fortë Kejni apo Lukaku?”, Tuhel: Unë nuk do të mbroja…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 19, 2021 | 14:46

“Më i fortë Kejni apo Lukaku?”, Tuhel: Unë nuk do të mbroja…

Tomas Tuhel nuk do të donte të luante kundër Romelu Lukakut apo Herri Kejnit nëse do të ishte ende futbollist. Trajneri i Çelsit, një ish-mbrojtës në kategorinë e dytë dhe të tretë në Gjermani, përpara se të dëmtohej dhe varte këpucët në gozhdë shumë i ri thotë se ndaj tyre nuk do të kishte asnjë shans dhe as që do përpiqej që t’i ndalte. Lukaku dhe Kejni, dy prej sulmuesve më të fortë sot në botë do të përballen me njëri-tjetrin në derbin mes Çelsit dhe Totenhemit ditën e sotme.

TUHEL LUKAKU 1

I pyetur në konferencë, se cilin do të preferonte që të kishte përballë, gjermani tha me humor: “Në kohën time unë isha një libero, luaja 10 metra pas mbrojtësve të vërtetë, kështu që ishin ata që i bënin punët e pista. Në atë kohë, unë isha djali që do t’i nxisja që të shkonin kundër Romelut dhe kur topi të ishte i lirë, unë do të shkoja ta vidhja dhe rrëmbeja të gjitha duartrokitjet e publikut përreth sepse nuk kishte shumë njerëz që shikonin ndeshjet ku unë luaja.

Herri Kejn kthehet shumë në rolin e numrit 10 dhe mua do të më kishte pëlqyer kjo gjë sepse mund t’ua kisha dhënë këtë detyrë numrave 6 ose mesfushorëve. Unë nuk do të isha në nivelin e tyre. Do të më kishin dribluar fare lehtë dhe sa mirë që janë djem të tjerë që merren me këtë punë”.

MË I FORTI? – Duke krahasuar dy bomberat 28-vjeçarë, tekniku gjerman tha: “Ka një ngjashmëri të madhe. Ata shënojnë gola vendimtarë. Atyre u pëlqen të shënojnë dhe e kanë bërë gjithnjë pavarësisht kompeticionit. Përveç kësaj, ata janë dy lojtarë shumë të ndryshëm në stil. Dhe ne duhet të jemi shumë të përqendruar nëse Kejn luan.

Kur ai ka topin është një prej lojtarëve më të rrezikshëm në botë në finalizimin e sulmeve. Është fantastik përpara porte dhe ka përreth disa lojtarë që pasojnë mirë dhe mund të jenë vendimtarë gjithashtu.

Le të shohim nëse do të luajë Heung-min Son sepse ai mund të jetë gjithashtu shumë deciziv. Por edhe ne kemi djem shumë të zotë përreth Lukakut, të cilët mund ta shërbejnë dhe bëhen edhe vetë protagonistë. Gjithsesi, në fund do të vendosë skuadra dhe do të jetë gjithnjë kështu”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"