“Me garë të ndershme, ngjiteshim direkt”, kryebashkiaku karikon Tomorin, Demo: Kemi edhe dy provime

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 13, 2021 | 0:59

“Me garë të ndershme, ngjiteshim direkt”, kryebashkiaku karikon Tomorin, Demo: Kemi edhe dy provime

Tomori blindoi vendin e dytë, e megjithatë ritmi në stërvitje nuk është ulur aspak. Ata do të luajnë vetëm për fitore kundër Besës në fundjavë, për të qenë gati për “finalen” me Burrelin ose Korabin.

Ervin Demo

Kërkohet me çdo kusht ngjitja në Kategorinë Superiorë dhe për të karikuar grupin mendon kryebashkiaku i Beratit. Në një prononcim të dhënë enkas për “Panorama Sport”, Ervin Demo vlerëson paraqitjen e bërë prej ekipit në këtë kampionat, por shpreson që t’i kalojnë me sukses edhe dy provimet e fundit që i kanë mbetur.

“Jam shumë i kënaqur me punën e deritanishme të skuadrës, që është produkt i përgatitjeve të një viti të tërë. Futbollistët dhe stafi teknik kanë bërë një ecuri për t’u lavdëruar, duke shpërblyer mbështetjen maksimale që ka klubi, institucioni i bashkisë dhe donatorët.

Vendi i dytë vlerësohet si arritje, megjithëse me atë që kemi dhënë në fushë gjatë fazës dytë dhe të tretë, meritonim më shumë. Pse jo, edhe kreun. Gjithnjë në rast se do të kishte garë të ndershme, por edhe një gjykim objektiv në përballjen me Egnatian në Peqin.

Tani jemi në një moment që ngjason me çastin e diplomimit të një studenti dhe për këtë duhen vlerësuar edhe dy provimet e fundit. Kam besim se futbollistët dhe trajneri Bledar Sinella me stafin e tij, do të jenë të aftë për të vlerësuar maksimalisht këtë moment, për t’i shërbyer skuadrës dhe të mundësojnë rikthimin e saj në Kategorinë Superiore.

Ka ardhur momenti i duhur që të gjithë të tregojnë vlerat e tyre, pasi nga ana ime dhe e donatorëve, mbështetja financiare në funksion të suksesit do të jetë e dyfishtë. Historia e klubit dhe tifozëria jonë meritojnë rikthimin në elitë”, përfundoi Demo.

EDI SPAHIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"