“Më frymëzojnë Levandovski dhe Haland”, sulmuesi i Skënderbeut: Ahmataj ka pasur detyrë të vështirë, kthehem te Vllaznia për…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 28, 2020 | 23:47

“Më frymëzojnë Levandovski dhe Haland”, sulmuesi i Skënderbeut: Ahmataj ka pasur detyrë të vështirë, kthehem te Vllaznia për…

Skënderbeu ka gjetur bomberin, Belajdi Pusi ka gjetur Skënderbeun. Duket se gjithçka ka ndryshuar për mirë sa i përket sulmuesit shkodran, i cili në këtë periudhë përgatitore ka arritur të gjejë me lehtësi rrugën e rrjetës. Nga ai gol ndaj Vllaznisë në kampionatin e fundit dhe deri më tani, 22-vjeçari është kthyer në “armën vrasëse” të kundërshtarëve të Skënderbeut. Këtë ai kërkon ta bëjë edhe në kampionat, duke qenë golashënues i mirëfilltë dhe udhëhequr skuadrën e Julian Ahmatajt. Në një intervistë për “Panorama Sport”, sulmuesi tregon ndryshimet te Skënderbeu dhe ambicien që ka për të ardhmen.
belajdi pusi
Belajdi, si ju duket ky Skënderbe i riformatuar?
Në fillim ishte e vështirë, sepse u larguan pothuajse të gjithë lojtarët dhe kur bëhen ndryshime të tilla, nuk ke siguri për të ardhmen. Por, me kalimin e kohës, grupi u plotësua me lojtarë të rinj dhe cilësorë. Në miqësore kemi bërë ndeshje të mira dhe shpresoj të paraqitemi mirë edhe në kampionat.

Me trajnerin e ri, Ahmataj, çfarë ka ndryshuar në skuadër?
Puna e profesor Julit duket qartë në lojën që ne po bëjmë si ekip. Ka pasur një detyrë të vështirë, por tregoi vlera me përzgjedhjen e lojtarëve që ka bërë, duke afruar në ekip elementë cilësorë dhe që kanë dëshirë të bëjnë mirë. Po bën maksimumin që të marrë më të mirën nga çdo lojtar dhe mbi të gjitha ka gjetur mënyrën si të na motivojë.

Po shënoni rregullisht në ndeshjet miqësore, mendoni se jeni në formën më të mirë në një kohë që kampionati ende s’ka nisur?
Unë thjesht po zbatoj detyrat e trajnerit dhe po jap maksimumin tim në fushë që të ndihmoj ekipin. Besoj se kjo vazhdimësi ka ndikuar mirë tek unë dhe fakti që po gjej golin çdo ndeshje më lumturon. Shpresoj të vazhdoj të ndihmoj ekipin edhe në kampionat, me gola dhe asiste, pasi atje do të vlejnë më shumë sesa tani.

A jeni gati të bëni të njëjtën gjë edhe në kampionat?
Jam shumë i uritur dhe po e pres me padurim fillimin e kampionatit. Jemi duke kaluar një formë të mirë dhe mund të tregonim shumë gjëra pozitive tani në ndeshje zyrtare. Kam bërë shumë përmirësime mendoj dhe e ndjej që po kaloj periudhë të mirë. Jam gati të jap kontributin tim tek Skënderbeu, duke ndihmuar skuadrën me sa më shumë gola.
Skenderbeu56
Sa e vështirë është të mbani mbi supe sulmin e Skënderbeut?
Askush nuk e bën dot, i gjithi i vetëm, një repart dhe kjo është ajo që ne kemi mësuar nga Ahmataj. Ne luajmë të gjithë bashkë dhe kështu bëhet më e lehtë puna për të gjithë, edhe për mua. Kemi lojtarë mjaft të mirë në çdo pozicion dhe kjo na ndihmon shumë.

Çfarë premton Pusi këtë sezon me fanellën bardhekuqe?
Unë premtoj se në çdo ndeshje do të bëj maksimumin. Mendoj se edhe këtë sezon, tifozët korçarë do të kënaqen me futboll nga Skënderbeu. Personalisht do të jap më të mirën time dhe do të mundohem të realizoj shumë gola. Shpresojmë që çdo gjë të na ecë mbarë.

Kush është lojtari që ju frymëzon?
Frymëzohem nga shumë lojtarë, por për momentin nga Levandovski dhe Haland sepse po shënojnë shumë dhe janë në formë të shkëlqyer.

A keni ndonjë peng nga koha te Vllaznia?
Të them të drejtën nuk jam pa pengje. Atje do të kthehem një ditë dhe do ta heq pengun që më ka mbetur. Nuk dua të flas më shumë për këtë, e lëmë me kaq. Koha do ta tregojë.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"