“Më frikëson vetëm vendi i parë, dua fitore me Tiranën” Josa: Deklaratat e Longos? Po të isha në kushtet e tij do të…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 14, 2021 | 11:26

“Më frikëson vetëm vendi i parë, dua fitore me Tiranën” Josa: Deklaratat e Longos? Po të isha në kushtet e tij do të…

Mirel Josa i kundërpërgjigjet me mënyrën e tij Diego Longos, ndërsa parashikon me Tiranën një ndeshje të fortë. Në një intervistë për “Panorama Sport”, Josa ka këshilluar Longon që gabimet e tij të mos ia faturojë botës së futbollit. Për Tiranën, Josa tha se e frikëson vendi i parë i saj, ndërsa në fund ka pranuar se ndeshja do të shihet në fund të takimit se cila nga ekipet do të triumfojë.

MIREL JOSA 1

Profesor, do të luani me Tiranën, një vend ku ju keni luajtur si futbollist dhe e keni drejtuar. Si e shihni këtë kundërshtar?

Të them të vërtetën, Tirana ku kam qenë unë me këtë Tiranë nuk ka lidhje. Unë kam qenë në periudha të ndryshme dhe goxha larg. Personalisht mendoj se është një skuadër që me meritë kryeson kampionatin. Skuadër që ka shumë zgjidhje brenda saj, flas për opsionet që ka trajneri. Në fund kam vetëm vlerësim maksimal ndaj këtij kundërshtari.

Tirana ka mundur Laçin në takimin e parë të fazës së parë. Me ardhjen tuaj ndryshon gjë në balancat dhe ekonominë e ndeshjes?

Dy ndeshjet nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën. Nuk flas vetëm për sfidën me Tiranën, por çdo ndeshje ka veçantinë e saj nga faza në fazë. Ndryshimet nuk kanë peshë në një 90 minutësh.

Ju thatë që Tirana ka një skuadër me shumë zgjedhje dhe me meritë në vendin e parë. Kujt i frikësoheni më shumë te ky ekip?

Këtu nuk është çështje frikësimi. Të gjithë e dimë dhe e njohim rendimentin e lojtarëve dhe atë që ata japin në fushën e lojës. Vetë drejtuesit e skuadrës e dinë rendimentin e skuadrës së tyre. Si kundërshtar i frikësohem vetëm vendit të parë që ka në këtë moment Tirana. Skuadër që ka iniciativë. Ka cilësi dhe që ka bërë ndërhyrje të mira në merkato. Është e kotë të flasim, do të shohim se si do të shkojnë punët nesër (sot) në fushën e lojës.

Zoti Josa, jo më larg se dje Diego Longo ka thënë se Laçi fiton “jashtë fushe”, duke iu referuar ndihmës së gjyqtarëve. Keni një kundërpërgjigje për të?

Unë nuk merrem me atë çfarë kanë thënë trajnerët e tjerë. Po të isha në kushtet e Longos do të shihja skuadrën time. Nuk merrem me trajnerin kundërshtar. Do të merrem me skuadrën time, sepse më pas gabimet që do të bëja në një ndeshje dhe me të cilat më pas do të akuzoja pjesën tjetër të futbollit do të humbisja vëmendjen ndaj skuadrës sime. Kaq.

Me ardhjen tuaj skuadra është ringjallur. Skuadra ka marrë rezultate të mira. Deri ku mund të shkojë kjo skuadër?

Objektivi është vetëm ndeshja e radhës. Tani kemi ndeshjen me Tiranën.

Ka nevojë skuadra për lojtarë të rinj. Do të ndërhyni në merkato për t’u forcuar?

Në çdo klub që kam qenë nuk kam folur në merkato përpara se të shoh mirë qoftë funksionimin e skuadrës qoftë të individëve. Lojtarët që kam janë të mjaftueshëm për ta përballuar këtë pjesë kampionati. Më pas do të shohim se çfarë do të ndodhë. Presidenti është treguar i gatshëm për të bërë ndonjë afrim.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"