Me entuziazmin e triumfit në derbi, ekipi i Gjylës në sulm për kreun

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 19, 2019 | 14:39

Me entuziazmin e triumfit në derbi, ekipi i Gjylës në sulm për kreun

Ekipi i Lushnjës, me entuziazmin e fitores në derbin me Apoloninë, vijon përgatitjet në kuadër të ndeshjes së fundit për këtë vit. Me Besën, një tjetër skuadër rivale, Lushnja do ta luajë në kompleksin “Tirana Internacional” në Pezë-Helmës, pra në fushë asnjanëse, ku sigurisht ka më shumë shanse për të marrë pikë sesa do të kishte në stadiumin e Kavajës. 

lushnja

Ky takim është parashikuar të luhet ditën e diel, në orën 13:30, pasi të shtunën në të njëjtën fushë luan Dinamoja. Lushnja është një nga pretendentët për ngjitjen në Superiore dhe fitorja në derbi e konfirmoi këtë fakt, pavarësisht se verdhejeshilët qëndrojnë ende në vend të dytë. Skuadra e trajnerit Ilir Gjyla synon minimalisht ta ruajë këtë pozicion edhe pas javës së 12-të të kampionatit, por nuk do ta ketë aspak të lehtë, duke ditur që edhe kavajasit janë në një moment shumë të mirë. Trajneri Gjyla shpreson që ta ketë më të plotë grupin e futbollistëve, pasi në javët e fundit ka pasur jo pak mungesa.

SOLIDARITETI 

Klubi lushnjar kishte premtuar se të ardhurat nga shitja e biletave të derbit me Apoloninë do të shkonin për familjet e prekura nga tërmeti. Gazeta “Panorama Sport” mëson se të ardhurat nga shitja e biletave në derbin Lushnja-Apolonia janë 916.000 lekë të vjetër. Shifra më e lartë kjo për dy sezonet e fundit për stadiumin “Roza Haxhiu”, ku derbin e Myzeqesë e ndoqën afërsisht 1800 shikues. Këto të ardhura do të shkojnë për të dëmtuarit nga tërmeti i 26 nëntorit, që ka lënë pasoja të lehta edhe në tribunën e stadiumit “Roza Haxhiu”, i cili ka pësuar disa plasaritje të mureve anësore. Grupi i specialistëve në Bashkinë e Lushnjës ka bërë verifikimet për të ndërhyrë më pas me meremetimet.

Alban Alushi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"