“Me Duron jam super”, flet Emiliano Musta: Dua titullin, ju tregoj të vërtetën e dëmtimit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 27, 2019 | 21:37

“Me Duron jam super”, flet Emiliano Musta: Dua titullin, ju tregoj të vërtetën e dëmtimit

Emiljano Mustës i duhen të paktën 7 ditë për t’u rikthyer në fushë. Pas shumë vizitave në Shqipëri dhe një konsulte në Francë, më në fund elbasanasi ka marrë diagnozën e saktë.

musta kukesi laci

Nuk ka vend për panik, pasi gjithçka mund të kalohet me terapi. Në një intervistë për “Panorama Sport”, mesfushori zbulon se shkak për këtë dëmtim ishte ngjeshja e ndeshjeve, por mbi të gjitha armiku kryesor është… fusha sintetike.

E megjithatë, 27- vjeçari nuk ngurroi që të analizonte këto 5 javë të para dhe të fliste për rivalët. Vlerëson punën e trajnerit Shpëtim Duro, madje kujton se me të ka nxjerrë supersezon kur luante te Flamurtari. U ndal sigurisht edhe te titulli, ndërsa duket i bindur se këtë vit do të kurorëzohen verilindorët kampionë të Shqipërisë.

I bëtë një nisje të shkëlqyer sezonit duke shënuar edhe gola. Cilat janë arsyet e këtij progresi?

Po, është e vërtetë, erdha te Kukësi me dëshirën e madhe për të bërë diçka të mirë dhe e nisa ashtu siç duhet kampionatin në aspektin personal. Shënova disa gola dhe kam përshtypjen se kam zhvilluar njëkohësisht dhe lojëra të mira. Arsyet e progresit besoj se janë si pasojë e punës. Çdo gjë vjen nga stërvitja sistematike që kam bërë dhe regjimi gjithashtu.

musta

U dëmtuat në momentin më të mirë në muskujt e barkut…

Atëherë që ta sqarojmë njëherë e mirë këtë punën e dëmtimit, pasi është përfolur shumë. Dëmtimi im ishte për shkak të një ngarkese të tejzgjatur, si pasojë e ndeshjeve të njëpasnjëshme në një periudhë 10-ditore. Është thjesht një stërmundim i muskujve nga stërvitjet që i bëjmë në fushë sintetike.

Shkuat edhe jashtë vendit për kontroll, çfarë ju thanë mjekët?

Shkova për një konsultë në Francë dhe pas vizitave atje, përfundimi ishte siç thashë edhe më lart, që është një mbingarkesë. Me disa ditë terapi, çdo gjë do jetë në rregull.

emiliano musta

E patët frikën e operacionit, pasi zakonisht problemet me muskujt e barkut i kërkojnë 6 muaj rikuperim?

Jo, nuk e pata. Operacioni nuk ishte kurrë një opsion, pasi unë e dija pak a shumë se çfarë kisha. E megjithatë, me vajtjen në Francë e vërtetova që dëmtimi ishte ai që kisha menduar. Të njëjtën gjë më thanë edhe doktorët e ekipit.

Kur mund të riktheheni dhe të jeni gati për lojë?

Është e vështirë kur një futbollist ndalet nga një dëmtim dhe sidomos kur është në formë të mirë. Por jemi profesionistë dhe jemi mësuar me situata të tilla. Besoj se brenda 7-10 ditëve do të jem në dispozicion të ekipit dhe trajnerit.

Duro duket se ju ka gjetur vendin e duhur në fushë dhe me të jeni perfeksionuar, çfarë ka ndryshe ky trajner nga të tjerët?

Me profesor Duron është hera e dytë që punoj. Edhe në Vlorë kam pasur një supersezon në aspektin personal nën drejtimin e tij. Shpresoj që dhe këtë vit të jetë i njëjtë. Për këtë pjesë duhet të pyesni profesorin, por besoj se di mjaft mirë t’i marrë 100% çdo lojtari, përfshi dhe mua. Jam i kënaqur që punoj me të.

Si e shikoni garën për titull dhe e prisni një “dhuratë” nga Partizani në derbi?

Ne mundohemi të bëjmë më të mirën në çdo javë hap pas hapi dhe të marrim maksimumin në çdo ndeshje, rivalët janë aty si çdo vit Partizani, Tirana, Teuta dhe ai që do gabojë më pak me ekipet e tjera, do luftojë për kampion deri në fund. Trepikëshi është i njëjtë si ndaj cilitdo ekipi.

Kujt i druheni më tepër nga rivalët këtë vit, ose më saktë cilin ekip duhet të keni më tepër kujdes?

Nuk i druhemi asnjë rivali, thjesht shikojmë punën tonë dhe veten tonë sesi mund të ecim më mirë në çdo aspekt. Fokusi im personal është të bëj një sezon sa më të mirë dhe të ndihmoj ekipin në objektivat që na janë vendosur, shpresoj se në fund të sezonit të jem fitues i kampionatit me Kukësin.

SKERDILAID SULOZEQI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"