“Më duket se po plasim”, Canka: Shpresoj t’i hapet rruga… topit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 20, 2020 | 20:25

“Më duket se po plasim”, Canka: Shpresoj t’i hapet rruga… topit

Futbolli mbetet ende në “ajër”, me shpresën e rikthimit sa më shpejt në fushë. Lushnjës, më shumë se çdo skuadre tjetër në Kategorinë e Parë kjo rinisje i intereson, sepse për momentin është jashtë objektivit të kthimit në Superiore dhe mund të djegë sezonin nëse situata nuk ndryshon.

canka

CANKA – Kapiteni i Lushnjës, Mikel Canka, në një prononcim për “Panorama Sport”, pohon se futbollit po i ndihet aroma. “Lajmi i mirë që marrim në këtë situatë është që kampionati mund të nisë në qershor. Pra, po jepen shenja për të rifilluar”, thekson fillimisht kapiteni dhe golashënuesi lushnjar, për të vazhduar: “Kemi më shumë se 5 javë që kemi lënë fushën dhe kjo është shumë e vështirë për një futbollist.

Më mungon fusha, stërvitjet, ndeshjet, tifozët. Më mungon gjithçka. Vërtet që jemi aq të mbyllur sa më duket se po plasim. Shpresoj dhe lutem që kjo situatë të mbarojë sa më shpejt. Kur dëgjoj data për rifillimin e kampionatit, bëhem më mirë. Si çdo futbollist, mundohem të mendoj pozitivisht, edhe pse siç e thashë, sikur po plas në këtë gjendje”.

SKENARËT – Nëse kampionati nuk rifillon, Lushnja është ajo që humb më shumë, sepse pas dy fazave të para është pozicionuar në vend të tretë, me 2 pikë më pak se Apolonia dhe 4 pikë më pak se Pogradeci. “Besoj se kampionati do të rifillojë dhe do t’i luajmë 6 ndeshjet e “play off”-it.

canka

Me përmirësimin e situatës, kur të jetë mundësia për të zbritur në fushë, mendoj se do duhen rreth 3 javë përgatitje dhe pastaj me një kalendar të ngjeshur mund të mbyllim kampionatin. Shpresoj të ndodhë skenari më i mirë i mundshëm, të mbarojë shpejt pandemia dhe t’i hapë rrugën futbollit. Nuk është se do të shtypim butonin. Futbolli është një lojë e përhershme dhe një garë me rregulla. E rëndësishme është të kemi një jetë normale, për të pasur çdo vit futboll dhe garë normale”, deklaroi për gazetën kapiteni i lushnjarëve, Mikel Canka.

Alban Alushi  – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"