“Më duheni të gjithë”, Zidan i drejtohet Realit: Marrim një trofe

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 22, 2020 | 0:05

“Më duheni të gjithë”, Zidan i drejtohet Realit: Marrim një trofe

“Kam nevojë për të gjithë ju”. Ky është mesazhi më i përsëritur nga trajneri Zinedin Zidan në stërvitjet gjatë një jave e gjysmë. Ai nuk ka pasur mundësi që të bëjë mbledhje me të gjithë lojtarët për shkak të masave dhe protokollit që duhej zbatuar gjatë këtyre ditëve, por trajneri ka pasur mundësinë të jetë me lojtarët në stërvitjet individuale dhe në grupe të vogla duke respektuar distancën. Zidan ka të ngulitur në memorien e tij atë që ndodhi në sezonin 2016-2017 kur fitoi dopietën (Champions dhe La Liga).
zidane

Në atë sezon, 20 lojtarë të skuadrës së parë u aktivizuan më shumë se 1500 minuta në të gjitha kompeticionet. Të ketë një plan B ka qenë gjithmonë një nga fiksimet e Zinedin Zidanit dhe tani me rikthimin e Hazardit dhe Asensios mund ta ketë diçka të tillë deri në fund të sezonit. Kalendari do të jetë shumë i ngjeshur, me ndeshje çdo tri ditë dhe prandaj trajneri francez ka nevojë për të gjithë futbollistët e skuadrës së tij. Ai po llogarit gjithashtu edhe dëmtimet dhe i ka parashikuar ato. Do të bëjë rrotacione masive sepse kampionati gjerman shërben si një mësim për të tjerët. Në javën e parë ka pasur tetë dëmtime dhe diçka e tillë është e pashmangshme në Spanjë dhe në kampionatet e tjera. Zizu kërkon të mbajë të bashkuar grupin dhe në deklaratën e tij të parë pas rikthimit thotë se Reali do të tentojë të fitojë trofe, sepse kjo është ADN-ja e këtij klubi.
zidan
RIKTHIMI – “Jam shumë i lumtur që u riktheva të punoj sërish me lojtarët e mi. Na kishte munguar gjithçka. Qëndruam 60 ditë pa u takuar dhe rifillimi ishte diçka pozitive”.

AMBIENTI – “Jemi të gjithë të lumtur dhe të kënaqur të gjithë për rikthimin. Kishim planifikuar përgatitjen fizike dhe lojtarët kanë bërë mjaft mirë në shtëpitë e tyre. Ishim në formë që në ditën e parë të stërvitjes”.

JAVA E DYTË – “Jemi bashkë dhe kjo ka më shumë rëndësi. Po bëjmë gjënë që duam më shumë. Java ka qenë shumë e mirë për të punuar, edhe pse në grupe të vogla. Por kemi mundësinë që të bëjmë diçka më shumë në aspektin taktik. E shoh ekipin akoma më mirë gjatë kësaj jave. Duhet të vazhdojmë me këto ritme dhe të gjejmë formën optimale për të qenë gati për vazhdimin e sezonit”.

NDESHJET – “Lojtarëve u pëlqen stërvitja, por më shumë ndeshjet. Po presin me padurim një datë për ta bërë këtë gjë. Unë gjithashtu jam i karikuar dhe dua që të zbresim në fushë”.

E ARDHMJA – “Duhet të mendojmë pozitivisht, sepse unë i kam parë mirë. Lojtarët e dinë që kanë në dispozicion 11 ndeshje dhe duan që ta përfundojnë sa më mirë sezonin duke fituar një titull. Kjo gjë është në ADN-në e Realit të Madridit dhe do të bëjmë gjithçka për të triumfuar”.

GENTJAN ALINANI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"