“Më duhen 2 lojtarë”, trajneri i Flamurtarit: Shpresojmë që të hapet merkatoja

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 21, 2021 | 13:00

“Më duhen 2 lojtarë”, trajneri i Flamurtarit: Shpresojmë që të hapet merkatoja

Dritan Resuli mendon se shtyrja e kampionatit po ndikon pozitivisht për Flamurtarin. Trajneri vlerëson angazhimin e lojtarëve në stërvitje, ndonëse “sytë” i ka ende nga merkatoja. Gjatë një prononcimi të dhënë për “Panorama Sport”, vlonjati thotë se ekipi ka ndryshuar dhe tani pritshmëritë janë të mëdha.
RESULI

“Shtyrja e kampionatit na ka dhënë më shumë kohë për t’u përgatitur. Na ka ndihmuar ndjeshëm, pasi ditët ishin shumë të pakta në dispozicion. Mendoj se po rritemi. Lojtarët po marrin ngarkesat fizike dhe jam më se i kënaqur nga reagimi i tyre. Po ashtu edhe pjesën taktike e kemi bërë mjaft mirë, për të parë dhe rregulluar mangësitë e fazës së parë të kampionatit. Them se jemi në rrugën e mbarë për të bërë mirë dhe për të dhënë maksimumin.

Ekipi ka ndryshuar. Pritshmëritë janë të mëdha. Dihen objektivat dhe qëllimi i Flamurtarit se cili është. Gjithë ky program dhe plan stërvitor është në funksion të ndeshjes së radhës që ne kemi. Normalisht që ndeshja është kolaudimi i grupit dhe zgjidhja e strategjive për ato ekipe që duhet të kemi përballë. Mendoj shumë se do të japim më të mirën në këtë takim të radhës që e kemi në transfertë.

Ekipi është i përgatitur për të dhënë maksimumin në këtë ndeshje dhe për të marrë një rezultat pozitiv. Kam bindjen se do të dalim me sukses, pasi i shikoj shumë të motivuar lojtarët në stërvitje”, tha fillimisht numri një i pankinës së kuqezinjve.
flamurtari-oriku

MERKATO – Merkatoja vazhdon të jetë e bllokuar, por Dritan Resuli nuk i humb shpresat. Ai shpreson te hapja e saj, ndërsa konfirmon bisedimet edhe me dy lojtarë të tjerë. Kujtojmë që pjesë e Flamurtarit është bërë Paulo Rikardo, megjithatë pa ardhur “vistoja” nga FIFA, nuk mund të bëhet asnjë federim.

“Jemi në pritje të zgjidhjes së çështjes së merkatos. Një lojtar është afruar, që vazhdon të stërvitet me ne. Jeni në bisedime edhe me dy të tjerë për pozicione të ndryshme. Besoj se do të kompletohemi së shpejti në reparte ku duam përforcime”, përfundon trajneri.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"