“Më donte Liverpuli dhe Bajerni”, rrëfehet Solskjaer: Kontratën me Fergusonin e firmosa me stilolapsin e… guidës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 25, 2020 | 12:15

“Më donte Liverpuli dhe Bajerni”, rrëfehet Solskjaer: Kontratën me Fergusonin e firmosa me stilolapsin e… guidës

Ole Gunar Solskjaer ka pranuar se Liverpuli ka dashur të firmosë me të përpara se ai të transferohej te Mançester Junajtid në vitin 1996. Trajneri aktual i “Djajve të kuq” u shndërrua në një legjendë në “Old Trafford”, me momentin më të lavdishëm golin në finalen dramatike të Champions-it në “Camp Nou” në vitin 1999, ku anglezët përmbysën Bajernin e Mynihut në shtesë.

Solskjaer

Por përpara transferimit të tij në “Teatrin e Ëndrrave”, sulmuesi norvegjez zbulon se ai kishte fituar vëmendjen e shumë klubeve të tjera Europiane ndërsa shkëlqente me Molden në vendlindje. “A ishin Liverpuli dhe Bajerni i Mynihut të interesuar për mua? Po, madje edhe Kaljari, PSV Eindhoveni dhe disa skuadra të tjera”, tregon Solskjaer gjatë një interviste për sajtin e klubit të Mançester Junajtid.

“Por unë nuk mund ta ndryshoja historinë. Kishte vetëm një zgjedhje. Ishte fantastike kur mbërriti ajo telefonatë. Pronarët e Moldes më kishin kërkuar të vija në zyrë. ‘Kemi këtë ofertë, të pëlqen?’ ‘Po, në rregull’- u thashë. Ata do të shkonin me pushime në ditët e ardhshme. Presidenti Martin Eduards do shkonte gjithashtu me pushime, kështu që ne duhet të vinim të nesërmen. Avioni i tyre privat nuk mund të nisej për shkak të një defekti, kështu që ata morën me qira një tjetër avion privat për të më transportuar.

Isha nervoz përpara se të takoja Sër Aleks Fergusonin, sepse ke frikë mos bën ndonjë gafë dhe krijon një përshtypje të parë të keqe. E dija që ai nuk do më kishte parë të luaja, kështu që ishte një takim i rëndësishëm për mua. Isha vetëm unë. Hëngrëm peshk dhe patate të skuqura në restorantin pranë ‘Old Trafford’ dhe qëndruam ndoshta 30-45 minuta. Ai më tha: ‘Shfrytëzoji këto 6 muajt e parë me ekipin e rezervave dhe pas Krishtlindjeve ndoshta mund të integrojmë në skuadrën e parë’”.

Kontrata Oleguna

Solskjaer tregon edhe rrethanat e çuditshme në të cilat ai e firmosi kontratën: “Ata po negocionin marrëveshjen brenda ‘Old Trafford’ dhe po më bënin një tur. Personi që po më bënte guidën më pyeti përse isha atje dhe unë iu përgjigja: ‘Kam ardhur për të firmosur një kontratë’! Ai në fakt më dha stilolapsin e tij për ta firmosur kontratën. Mendoj se ishte një moment krenarie për të gjithashtu”.

PËRGATITI: ANDROKLI DRALO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"