“Më djegin mungesat e shumta”, Alegri pranon zhgënjimin për eliminimin: Hera e parë në karrierë që vij kot në konferencë…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 2, 2022 | 16:25

“Më djegin mungesat e shumta”, Alegri pranon zhgënjimin për eliminimin: Hera e parë në karrierë që vij kot në konferencë…

Treni i fundit për në Europë kalon sot në “Allianz Stadium”, në orën 21:00 për Juventusin dhe trajneri Masimiliano Alegri kërkon që ta kapë atë, pasi humbi atë të 1/8-ave të Champions-it. Për të qenë i sigurt se do të jetë në bord duhet të mundë PSG-në, për të mos pritur dhurata më kot nga Benfika në Haifa, e cila ka fatin e Makabit në dorë, për Ligën e Europës.

Allegri, Bonucci clarify group runners-up comment - Black & White & Read All Over

 

“Është hera e parë që paraqitem kot në një konferencë për shtyp dhe e para në 12 vite përpara një ndeshje Championsi, që nuk di se çfarë të komentoj. Personalisht me djeg shumë që nuk do të kem mundësinë që nga muaji shkurt (2023, kur nisin 1/8-at e Champions-it) e në vazhdim të mos përballemi me më të fortët e Europës. Kjo më lë një shije shumë të hidhur brenda vetes, ndonëse sërish përballë njëres prej skuadrave më të forta të Europës, na duhet që të fitojmë për të siguruar një kategori më poshtë sesa Champions-i ku na takon neve. Gjithsesi, në Ligën e Europës duhet të shkojmë me çdo kusht, pasi gjithsesi turne i rëndësishëm mbetet dhe nuk duhet ta humbasim. Mos është më i rëndësishëm vendi i katërt në kampionat?  Çdo gjë në jetë është një mundësi, por të flasësh tani është e kotë. Në fund vlen vetëm verdikti i fushës dhe ajo që unë di është se mund të bëjmë ende disa gjëra pozitive deri në fund. Ajo që deri tani është e sigurt dhe askush nuk e ndërron është se në Champions kemi bërë shumë paraqitje të shëmtuara dhe diçka e tillë pasqyrohet dhe shtrembëron disa paraqitje të mira që kemi bërë në kampionat. Gjithsesi, tani asgjë nuk vlen më dhe nuk kthehet prapa”.

DËMTIME PA FUND- Për sa i përket formacionit për sot, Alegri rikuperon vetëm Manuel Lokatelin në mesfushë, ndërkohë që duke llogaritur edhe të pezulluarin për kartonë, Danilo Luiz, ashtu si me Leçen, mungesat mbeten 12 për Juventusin (Vlahoviç, Di Maria, Pogba, Kieza, Bremer, Paredes, De Shiljo, Iling, MeKeni, Kaio Zhorzh e Ake). “Do të kem vetëm 4 mesfushorë në dispozicion, Miretin, Faxholin, Rabionë dhe Lokatelin, por nuk po justifikohem aspak. Ndonëse nga ana tjetër nuk e fsheh se mungesa e Pogbasë në këtë repart na ka munguar shumë sivjet, ashtu sikurse çdo i dëmtuar tjetër. Kam folur me Pol dhe ai është tepër i zhgënjyer që nuk do të shkojë në Katar, por që kur vendosi të mos operohej që në fillim e vuri fort në rrezik Kupën e Botës dhe rikthimin në këtë muaj të fundit me ne në fushë. Sivjet kemi pasur një mesatare të frikshme dëmtimet dhe kjo më djeg sigurisht, pasi kështu edhe ata që kanë zbritur gjithmonë në fushë, nuk kanë pasur mundësinë që të pushojnë dhe të rikuperojnë bateritë. Kieza si është?, – pyetet trajneri, që në mënyrë ironike nxjerr një letër nga xhepi dhe i kërkon gazetarit që ta presë 5 sekonda. – Ja, shiko… Meqë nuk kam qenë shumë i zoti në shkollë dhe kam shumë gjëra për të menduar, i kam shkruar këtu gjërat për Kiezën. ‘Federiko nuk mund të luajë ende 90 minuta. Po stërvitet, por nuk do të jetë në fushë as me PSG-në dhe as me Interin’. Të kënaqur?! Ndërkohë, Bremer dhe Di Maria mund t’ia dalin për Interin, ashtu sikurse shpresojmë edhe për Vlahoviçin”.

PSG-ja DHE MESI- Në fund, lidhur me kundërshtarin, trajneri i Juves ka vetëm elozhe. “Dua ta nis duke thënë se sot dola nga sektori i të rinjve dhe mbajta shënim të gjithë emrat që kanë cilësi të rëndësishme, pasi disa do t’ia marr me vete, duke parë lojtarët e pakët që më kanë ngelur. Nga ana tjetër, çfarë mund të thuash për PSG-në… Kanë disa vite që janë ndër skuadrat më kompetitive dhe çdo vit duket ai i duhuri për të bërë hapin e madhe edhe në Champions, ndonëse diçka ngec në fund. Mesi i rikthyer në nivelet e kohëve të arta? Lionel Mesi ka qenë gjithmonë lojtari më i mirë në botë dhe sivjet është normale që të jetë më tepër i karikuar, duke qenë se përveç se synon Champions-in me PSG-në, është edhe viti i Botërori. Prandaj, duke menduar se është 35 vjeç dhe po jeton vitet e fundit të karrierës së tij madhështore, është normale që entuziazmi dhe besimi të jenë benzina e tij këtë sezon, por shpresojmë jo kundër nesh”, e mbyll me ironi Alegri.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"