“Më dhemb për Apoloninë, nuk do i refuzoja”, flet Amarildo Dimo: Luaj me fuqi, jo me emër

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 15, 2019 | 20:02

“Më dhemb për Apoloninë, nuk do i refuzoja”, flet Amarildo Dimo: Luaj me fuqi, jo me emër

Amarildo Dimo ka lënë pas një sezon tek Egnatia dhe është lojtar i lirë. 37-vjeçari vazhdon të sfidojë moshën dhe është në shqyrtim të ofertave për edicionin e ardhshëm, që nuk i mungojnë.

Dimo Apolonia

“Luaj me fuqi, jo me emër”, deklaron Dimo, i cili sapo është pajisur me licencën B të trajnerit, pas kursit të zhvilluar në Fier. Në intervistën për “Panorama Sport”, futbollisti fierak flet për objektivat personalë dhe jep një opinion për Apoloninë.

Dimo, keni mbyllur një sezon tek Egnatia. Si e vlerësoni këtë eksperiencë?

Në aspektin personal them se ka qenë pozitiv. Skuadra e nisi mirë, pati synime serioze, por problemet financiare shkaktuan luhatje dhe largim nga objektivat e fillimit. Kjo është problematikë e futbollit tonë në tërësi dhe e Kategorisë së Parë në veçanti, që ende mbetet në tranzicion, mendoj unë.

E keni mbyllur me Egnatian?

Po, po, kontrata ime me këtë skuadër ka përfunduar dhe tanimë jam një lojtar i lirë.

amarildo dimo

“Lojtar i lirë”, kjo do të thotë se do të vazhdoni të luani?

Patjetër, absolutisht që po. Jua kam thënë edhe më herët se do të tërhiqem nga futbolli kur ta ndiej që nuk kam se ç’të jap më. Do të largohem vetë, jo të më largojnë. Nuk luaj me emër, por me fuqi, me formën sportive. Kur të më lënë gjunjët, do të tërhiqem.

Keni oferta aktualisht?

Janë tri skuadra të Kategorisë së Parë që më kanë kërkuar të bëhem pjesë e tyre. Ende nuk kam vendosur dhe po i shqyrtoj me qetësi ofertat për të vendosur në kohën e duhur, pasi të studioj edhe kushtet dhe projektet përkatëse të këtyre ekipeve.

Nga Apolonia keni pasur ndonjë interesim për rikthim?

Jo, nuk kam pasur.

Keni përfunduar kursin e trajnerëve pak ditë më parë. Parapërgatitje për t’ju parë së shpejti në stol?

(Qesh). Ende larg! Them se diçka e tillë është normale për një njeri që është i lidhur fort me futbollin, është plotësimi profesional dhe një domosdoshmëri. Ende nuk e mendoj dot largimin nga fusha, por një ditë edhe kjo gjë do të ndodhë, ama nuk mund të jetoj dot pa emocionet e drejtpërdrejta të futbollit. Nuk e shijoj dot thjesht si sportdashës, ndaj dhe zgjodha që të ndjek kurset e trajnimit.

Si ish-lojtar dhe ish-kapiten i Apolonisë, si e gjykoni sezonin e shkuar të kësaj skuadre?

Jo atje ku duhej dhe kjo gjë është e dukshme nga rezultatet dhe renditja, larg emrit dhe traditës. Shkurt, një sezon për t’u harruar.

Ku gaboi Apolonia e vjetshme, sipas jush?

Gabimi esencial qe prishja e grupit, duke larguar pjesën kryesore të ekipit. Nuk bëhet skuadër pretendente, duke çmontuar bërthamën. U larguan lojtarë të formacionit bazë dhe me peshë si Broshka, Kuçi, Llambi, unë, Brakën e izoluan në stol etj. Duhej bërë rifiniturë, jo ndryshim drastik, ca më keq shpërbërja e grupit. Mendoj se Apolonia e kampionatit të kaluar qe më shumë mediatike dhe më pak në fushë.

Pavarësisht largimeve që përmendët, u rikthyen emra me përvojë si Meto, Nako, A.Prifti, Kolgega, Buzi…

Dhe cili prej tyre është sot ende pjesë e ekipit, veç Nakos? Pastaj, flasin rezultatet: kur luanim ne, dolëm të tretët, duke pasur edhe Tiranën në grup, ndërsa vitin që lamë pas, të shtatët. Komentet do të ishin të tepërta.

Nëse do t’ju bëhej një ofertë nga Apolonia, tani si lojtar apo edhe më vonë në stol, do ta pranonit?

Së pari, dua të them që Apolonia më dhemb dhe është ekip që e dua fort. Edhe pse kam luajtur për shumë skuadra të tjera, këtu kam hedhur hapat e mi të parë dhe kam kaluar vite të bukura. Kam ardhur shpesh edhe si kundërshtar dhe kam luajtur për të fituar ekipi që kam përfaqësuar, sepse jam profesionist, por më ka dhembur humbja e Apolonisë. Gjithsesi, them se nuk do ta refuzoja kurrë të luaja sërish këtu, ndërsa sa i përket stolit, Apolonia ka një trajner shumë profesionist si Artan Mërgjyshi, nga më të mirët në Shqipëri. Me atë në krye, ka të drejtën e plotë ta kërkojë fort Superioren. Momentalisht, mendoj më shumë për fushën se për stolin.

BUJAR RAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"