“Më çuditi ky transferim”, Bushi u tregon italianëve talentin që firmosi në Serinë B: Fola me Taren, ka potencial të pashprehur

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 20, 2022 | 19:57

“Më çuditi ky transferim”, Bushi u tregon italianëve talentin që firmosi në Serinë B: Fola me Taren, ka potencial të pashprehur

 

Serxhio Kalaj është futbollisti shqiptar i radhës që po bëhet gati për skenat e rëndësishme të futbollit italian. Mbrojtësi i përfaqësueses U21 të Shqipërisë, është transferuar te Frosinone, një skuadër me ambiciet për t’u ngjitur përsëri në elitë dhe Kalaj pritet që të bëhet një element i rëndësishëm në të ardhmen në këtë klub.

kalaj

Për futbollistin ka folur sot në mediat italiane trajneri i U21, Alban Bushi, i cili ka zbërthyer karakteristikat e lojtarit. “Serxhio ka qenë gjithmonë pjesë në çdo moshë në kombëtaret e Shqipërisë. Kam vlerësuar gjithmonë se kishte një potencial të rëndësishëm, të shoqëruar nga një strukturë fizike të rëndësishme për rolin që mbulonte në fushë. Në duelet ajrore është po aq i aftë, ka teknikë të mirë dhe është i aftë taktikisht. Po flasim për një lojtar premtues, e ardhmja është në anën e tij”, tha Bushi për “L’inchiesta si sera”.

“Puna duhet të jetë ajo që të udhëheqë rrugëtimin e tij që të arrijë nivelet më të larta. Cilësitë i ka. Kur debutoi ishim të bindur për forcën e tij. Por i mungonte eksperienca, kishte luajtur pak në atë sezon. Gjëja që më bezdiste më shumë, e pranoj, ishte mungesa e agresivitetit që shihej gjatë stërvitjeve. Përkushtimi i tij nuk ishte maksimal edhe pse kishte shumë talent për të shprehur.

kalaj

Fola edhe me Igli Taren dhe më tha të njëjtat gjëra, që do të thotë shumë potencial i pashprehur. Por brenda meje kam menduar gjithmonë se me vitet do të rritej dhe do të kishte fituar ndërgjegjësim të plotë të asaj që është në gjendje të dhurojë. Gjithçka më në fund po konkretizohet. Jam i bindur që do të bëhet një lojtar i Kombëtares A. Ndoshta ky moment, pak nga pak po afron”, theksoi trajneri i përfaqësues Shpresa i cili gjithsesi ka pranuar se ka mbetur pak i çuditur nga ky transferim.

“Mundohemi gjithmonë të marrim informacione nga skauti ynë në vendin tuaj. E pranoj se kam mbetur i çuditur nga fakti që shkoi  në Serinë B, por kjo tregon se sa ka ndryshuar Serxhio dhe sa mirë ka bërë në eksperiencën e tij të mëparshme ku ka shprehur potencialin e tij. Uroj që Shqipërisë t’i shtohet një tjetër mbrojtës i fortë në repartin e tërhequr pas Gjimshitit dhe Kumbullës”, deklaroi Bushi.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"