“Me Bylisin, e vështirë edhe kur ishim mirë”, trajneri i Skënderbeut: Nuk bëj pakte për barazim

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 21, 2020 | 8:56

“Me Bylisin, e vështirë edhe kur ishim mirë”, trajneri i Skënderbeut: Nuk bëj pakte për barazim

Për trajnerin Julian Ahmataj ndeshja e sotme në transfertën e Ballshit është delikate, duke parë gjendjen e ekipit për shkak të mungesave. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport, trajneri i Skënderbeut është i bindur se ekipi do të ketë grintën e duhur, por i druhet skuadrës për luhatjet që ka shfaqur brenda një ndeshjeje.
julian-ahmataj-770x395
Ahmataj, pas fitores në Kupë jeni më i qetë për ekipin?
Ne duhet të jemi të qetë se kemi shumë rrugë për të bërë. Kualifikimi në Kupë na ka ndihmuar mjaft, pasi ka rritur moralin në ekip. Tani është koha të fokusohemi te ndeshja e radhës dhe kjo ka rëndësi, edhe morali duhet të jetë i lartë që të arrijmë objektivin.

Sa e vështirë është për ju ndeshja ndaj Bylisit?
Në Ballsh, për Skënderbeun ka qenë e vështirë dhe delikate edhe në kohën kur ekipi kishte cilësi të lartë. Nuk është e thjeshtë të luash në nivele të tilla, prandaj skuadra duhet të jetë e bashkuar dhe e përqendruar brenda fushës. Është një ndeshje angazhuese dhe na pret një 90-minutësh i lodhshëm, për më tepër në një situatë të tillë.

Sa presion keni nga fakti që në dy javët e para morët vetëm një pikë?
Nuk është ende momenti për të pasur presion. Për më tepër, ekipi nuk duhet të ketë presionin e pikëve. Ne jemi të qetë për sa u përket objektivave që ka vendosur klubi. Më shumë sesa presion pikësh e kemi vëmendjen te ndeshja dhe të shmangim gabimet që kemi bërë në të kaluarën apo problemet. Kemi pasur luhatje dhe duhet të përmirësohemi në këtë aspekt. Kjo është ajo që i kam kërkuar ekipit.

Kur folët për probleme, e keni fjalën për dëmtimet?
Gjatë gjithë javës kemi pasur probleme, lojtarë të dëmtuar, dhe nuk e dimë ende nëse do të jenë në fushë. Mara dhe Govori kanë zhvilluar dy seancat e fundit me ekipin, por ende nuk jemi të qartë për gjendjen e tyre. Ky është një problem që duhet ta zgjidhim në momentin e fundit.

Kjo do të thotë se jeni në emergjencë?
Nuk mund ta themi këtë. Përtej problemeve kemi një grup të mirë me lojtarë të rinj që presin momentin e tyre. Prandaj, jam i bindur se ai që do të hyjë në fushë do të dijë të bëjë më të mirën e mundshme.

Në Ballsh do të ishit të kënaqur edhe me një pikë?
Jo, kurrsesi, nuk bëj pakte me barazimin. Ndaj çdo kundërshtari, ekipi hyn në fushë me mentalitetin e duhur dhe vetëm për fitoren. Këtë do të bëjmë edhe në Ballsh. Do të hyjmë për të dhënë më të mirën e për të marrë maksimumin. Më pas llogaritë do t’i bëjmë në fund.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"