“Me atë buxhet janë për… Superiore”, Bano “skanon” Lushnjën dhe jep disa këshilla: Duhen 14 afrime, por kujdes me merkaton

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 2, 2021 | 0:19

“Me atë buxhet janë për… Superiore”, Bano “skanon” Lushnjën dhe jep disa këshilla: Duhen 14 afrime, por kujdes me merkaton

Në sezonin e katërt radhazi në inferiore, Lushnja do të tentojë ngjitjen në Kategorinë Superiore. Gara do të jetë më e ashpër me një grup të vetëm, por superbuxheti që kanë nuk i limiton për të ndërtuar një ekip pretendent. Vërtet mungon infrastruktura apo edhe një sponsor, por fondi prej gjysmë miliardi që ka akorduar bashkia, u jep luksin që të zgjedhin më të mirët në merkato.

Bano Artan ne ndeshjen ndaj Lacit

I këtij mendimi është edhe Artan Bano, ish-trajneri i verdhejeshilëve. Në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport”, ai mendon se duhen 14 afrime dhe mes tyre të ketë edhe rikthime. E megjithatë, mendon se drejtuesit janë disi të vonuar në këtë drejtim.

“Në këndvështrimin tim, Lushnja e ka buxhetin për të bërë një merkato të mirë, cilësore dhe të kompletuar. Janë të gjitha hapësirat financiare për të ngritur një skuadër pretendente. E kam ndjekur ekipin sezonin e kaluar dhe pashë shumë elementë, që nuk e justifikuan aspak nivelin dhe kuotat që kërkohen. Shoh të udhës që duhen bërë 12 deri në 14 përforcime. Dhe nuk flas me numra, por për elementë cilësorë dhe me përvojë.

Duhet bërë kujdes me përzgjedhjen e emrave që të vijnë ama… Të mbahet përgjegjësi në përzgjedhjen e elementit, që merkatoja të mos dështojë dhe të shkojë deri në pavlefshmëri. Gjatë kësaj periudhe, shumica janë të lirë dhe me parametra zero. Flas për lojtarë që kanë një lloj CVje, që duhet të ishin piketuar nga ana e drejtuesve. Lushnja duhet të kishte lëvizur më shpejt, për të siguruar shërbimet e futbollistëve të duhur.

Sezoni i ardhshëm në Kategorinë e Parë pritet të jetë shumë i fortë sa i takon ngjitjes më lart, por edhe mbijetesës. Është skuadra që ka shumë nevojë për merkaton. Lushnja ka nevojë për një mbushje në të tria repartet. Nga 12-14 afrime, mendoj që 5-6 duhet të jenë rikthime në skuadër.

Lushnjarë apo dhe të tjerë që e njohin ambientin, do ishin të duhurin. Shto këtu anën financiare, është edhe ana morale. Them rikthime, pasi vetëm ata janë edukuar frymën që qarkullon në qytet, në lidhje me futbollin sigurisht. Lushnja e ka buxhetin dhe kur ke paratë, pse të mos e edicionin me synime madhore”, përfundoi 55-vjeçari.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"