“Me 3 përforcime me eksperiencë arrijmë objektivat”, zv.kapiteni i Flamurtarit: Na ndihmon shtyrja e kampionatit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 14, 2021 | 12:05

“Me 3 përforcime me eksperiencë arrijmë objektivat”, zv.kapiteni i Flamurtarit: Na ndihmon shtyrja e kampionatit

Merkatoja shihet si shpëtim për Flamurtarin. Disa përforcime janë të domosdoshme për të përballuar garën, ndonëse në ekip ka vërtet lojtarë cilësorë e të talentuar. Kështu mendon edhe Mateo Qarri, i cili këtë sezon ka statusin e zv.kapitenit. Gjatë një prononcimi të dhënë për “Panorama Sport”, mbrojtësi komenton edhe fazën përgatitore dhe shtyrjen e kampionatit. “Minifaza po shkon më shumë se mirë. Kemi cilësi në grup dhe kjo na bind për vazhdimësinë. Jemi djem të rinj dhe me dëshirë, por nëse do kishim 2-3 përforcime me eksperiencë, nuk do të ishte keq.
mateo qarri
Do të na shërbenin për të arritur objektivat tanë. E megjithatë, ne si futbollistë kemi si detyrë vetëm të zbatojmë ato çfarë thotë trajneri. Me të tjerat merren drejtuesit dhe presidenca. Ata po bëjnë më të mirën për ecurinë pozitive të ekipit. Në këto kushte, unë kam shumë besim te ky ekip. Të gjithë bashkë do të japim maksimumin, me qëllim që Flamurtari të arrijë aty ku i takon. Kam bindjen se i gjithë grupi do të bëjë maksimumin e tij, me synimin që të mund të arrihen rezultatet pozitive. Angazhimi i të gjithëve është. Fryma në skuadër nuk mungon, ndaj Flamurtari do të ketë një të ardhme të mirë. Mendoj se shtyrja e kampionatit nuk ndikon negativisht. Do të kemi më shumë kohë për të marrë ngarkesat e duhura, të përgatitemi për ndeshjen e radhës e të japim maksimumin. E vlerësojmë kundërshtarin, por ne si në çdo ndeshje kemi synim tri pikët. Kështu që, do të udhëtojmë drejt Cërrikut për të dhënë maksimumin e për të marrë një rezultat pozitiv. I kemi të gjitha mundësitë për këtë. Ndryshe nga Superiorja, në këtë kategori luhet futboll më i fortë dhe terrenet nuk të lejojnë që të shfaqësh potencialin e duhur. Megjithatë, ne po përshtatemi dhe do të japim më të mirën për t’u përfaqësuar me dinjitet, ashtu siç i ka hije Flamurtarit”, përfundon 21-vjeçari.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"