“Mbyllim sezonin pa humbje”, Gava kërkon rekordin e Elbasanit/ Kapiteni “skanon” ecurinë dhe rokadën në stol

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 18, 2023 | 22:42

“Mbyllim sezonin pa humbje”, Gava kërkon rekordin e Elbasanit/ Kapiteni “skanon” ecurinë dhe rokadën në stol

AF Elbasani është shumë pranë arritjes së ngjitjes në Kategorinë e Parë pas fitores ndaj Albpetrolit dhe ndalesës së Pogradecit. Kapiteni Orgest Gava shprehet për “Panorama Sport”, se skuadra do të tentojë ta mbyllë sezonin pa asnjë humbje.

gavaaa

Mbrojtësi flet edhe për largimin e Gentian Stojkut, duke theksuar se nuk ka pasur probleme midis tij dhe lojtarëve. Ai vlerëson punën e trajnerit përgjatë këtyre dy viteve, ndërkohë që mirëpret edhe ardhjen e Eriol Merxhës, një trajner që e njeh mirë ambientin në Elbasan.

Morët një fitore të rëndësishme, që ju afron me ngjitjen në Kategorinë e Parë. Si ndiheni?

Me fitoren e fundit ndihemi shumë mirë dhe të motivuar për të dhënë maksimumin në ndeshjet që na kanë mbetur. Qëllimi është të arrijmë objektivat e vendosura nga klubi.

Kanë mbetur edhe tri ndeshje, ndërkohë që nuk keni asnjë humbje, shpresoni ta mbyllni kështu kampionatin?

Shpresojmë të vazhdojmë me këtë ritëm, duke qenë se tani jemi edhe më afër titullit kampion. Tani jemi më të çliruar dhe do të dalim në lojën tonë. Sigurisht që deri në fund do të luftojmë për të mos pasur asnjë humbje.

Pak ditë më parë u largua trajneri Gentian Stojku, si ju erdhi ky vendim?

Ky vendim erdhi i papritur për të gjithë. Gjithsesi, besoj se çdo vendim i marrë mes drejtuesve të klubit dhe trajnerit është në interes të AF Elbasanit.

Flitet se ndër të tjera ka pasur probleme edhe me lojtarët. Jeni në dijeni?

Sa u përket fjalëve që mund ta shoqërojnë këtë vendim, më duken të parëndësishme për t’u diskutuar. Jo vetëm personalisht, por edhe si kapiten i ekipit, dua të shpreh vlerësim maksimal për punën që profesor Stojku ka bëre këto dy vite në drejtim të AF Elbasanit.

Në pankinë është ulur Eriol Merxha, si e shihni këtë lëvizje të klubit?

Profesor Merxha është një emër i respektuar në ambientin futbollistik elbasanas, ka eksperiencë në drejtimin e ekipit. Këtë lëvizje e shoh pozitive dhe në të mirë të klubit, për të vazhduar punën drejt titullit kampion.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"