Mbylli sezonin pas ndërhyrjes horror, Meksi i zhgënjyer: Ndreca më goditi qëllimisht, nuk kërkoi as falje

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 24, 2020 | 12:46

Mbylli sezonin pas ndërhyrjes horror, Meksi i zhgënjyer: Ndreca më goditi qëllimisht, nuk kërkoi as falje

Mbylli përfundimisht sezonin pas asaj ndërhyrjeje horror nga ana e Edison Ndrecës në ndeshjen e fundit, por Jorgo Meksi tregon besimin se do të rikthehet akoma edhe më i fortë. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, mbrojtësi i Skënderbeut flet për momentet e atij dëmtimi të rëndë dhe tregon se as falje nuk iu kërkua nga ana e lojtarit të Bylisit.
Jorgo Meksi demtimi
Meksi, si është gjendja juaj pas asaj ndërhyrjeje?
Të them të drejtën, jam ndierë keq. Jam ndierë keq pasi ishte një ndërhyrje brutale dhe e qëllimshme. Të vjen keq që ka ende të tilla momente kur lojtarët mendojnë të shkaktojnë probleme fizike te kundërshtari. E keqja ndodhi, tani duhet të qetësohem dhe të mendoj për rikuperimin.

I keni kryer ekzaminimet për këtë dëmtim. Çfarë rrezikoni, pasi flitet se e keni mbyllur sezonin?
Po, është e vërtetë, kam kryer rezonancën në kryeqytet dy ditë më parë dhe për fat të keq kam rupturë të ligamentit. Kjo nënkupton që është një problem jo i vogël. Koha e rikuperimit është e gjatë dhe më shumë se një muaj do të jem jashtë fushave.

Çfarë menduat në momentin e ndërhyrjes?
Të them të drejtën, kam ndierë dhimbje të madhe. Për momentin mendova se m’u thye këmba pasi ndërhyrja ishte shumë brutale dhe e fortë. Ishte një moment shumë i vështirë.
ndreca
A ju kërkoi falje Ndreca?
Jo aspak, as nuk denjoi të më kërkonte falje. Madje si për çudi, u afrua që të kërkonte llogari duke më thënë se nuk më kishte bërë asnjë gjë.

Ishit në momentin tuaj më të mirë, ju vjen keq që ky dëmtim erdhi tani?
Po, shumë madje. Mund të them se isha duke kaluar momentin më të mirë dhe forma ishte mjaft e lartë. Më vjen keq që nuk do të jem më në fushë duke ndihmuar shokët në përmbushjen e objektivave sezonalë që ka ekipi ynë. Por shpresoj që të vijojmë me rezultatet e mira dhe të japin maksimumin që të arrijmë Europën.

Si ndiheni në Korçë dhe si i keni planet për të ardhmen?
Në Korçë ndihem shumë mirë. Mund të them se kam kaluar një vit të mrekullueshëm këtu dhe kjo për mua është gjë tejet pozitive. Shpresoj që të vijoj gjatë te Skënderbeu dhe të arrij të bëj mirë. Mbi të gjitha të presim lajme të mira nga gjyqi që ka klubi dhe më pas jemi gati për hapin e madh.

Cili është idhulli i Meksit dhe cila është ëndrra më e madhe në futboll?
Në futboll normalisht që idhull kam brazilianin që luante me Barcelonën, Daniel Alvesh. Ndërsa ëndërr si e çdo futbollisti është të luaj ndeshje me Kombëtaren e Shqipërisë. Ky është maksimumi i një lojtari në karrierën e tij.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"