Mbylli karrierën, shkodrani Shtubina: Do të jem drejtor i Egnatias

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 24, 2022 | 23:22

Mbylli karrierën, shkodrani Shtubina: Do të jem drejtor i Egnatias

Egnatia pësoi humbjen e pestë radhazi ndaj Vllaznisë në Shkodër në ndeshjen e javës së 35-të të Kategorisë Superiore. Shkodranët triumfuan me shifrat 3-1, por në fund më shumë vëmendja ishte te Ndriçim Shtubina.

shtubina

Mesfushori, i cili në dy sezonet e fundit ka qenë pjesë e Egnatias, por është afirmuar në Superiore nga Vllaznia, ku edhe ka luajtur në disa sezone, luajti ndeshjen e fundit në “Loro Boriçi”, stadiumin më të dashur për të. Ai njoftoi largimin nga futbolli i luajtur dhe në një prononcim për “Panorama Sport’ tregoi se nga fundi i këtij sezoni, ai do të mbajë rolin e drejtorit sportiv të Egnatias.

LAMTUMIRA E TIFOZËVE – “Ishte një emocion i veçantë për mua. Nuk e kisha pritur, por ky është futbolli. Jam ndier krenar që luajta futboll deri në moshën 35- vjeçare. Dua të falënderoj presidentin e Egnatias, Agim Demrozi, që ka besuar tek unë. Ai nuk është vetëm ‘bosi’ i ekipit tonë, por një person me zemër të mirë. Sot ishte ndeshja e fundit në Shkodër, por unë do ta mbyll në Rrogozhinë. Gjithsesi, jam shumë i emocionuar”.

KARRIERA E RE – “Pas futbollit të luajtur do të marr një post të rëndësishëm në ekipin e Egnatias. Nuk dua ta quaj veten drejtor sportiv, por do të mbuloj një pjesë të gjërave teknike të skuadrës. Do të kërkoj të bëj maksimumin si në fushë, e tani edhe jashtë saj”.

Shtubina

MOMENTET E MIRA – “Kam momente shumë të mira në futbollin e luajtur. Falënderoj Zotin që kam pasur shumë pak momente të këqija. Janë të tjerët, që vlerësojnë punën time dhe jo unë veten”.

SHKODRA – “Vllaznia ka qenë gjithçka për mua. Për të folur për të është shumë e vështirë. Vllaznia është familja ime. Nëse nuk e dua atë, nuk dua asnjë ekip tjetër. Pra, ka qenë dhe është gjithçka për mua.

MBIJETESA – “Unë kam besim se Egnatia do të mbijetojë në Superiore. Kam besim te këta djem. Ato duhet që në atë takim të japin maksimumin dhe në shtëpi të kthehen me taksi e jo në këmbët e tyre”, përfundoi prononcimin e tij Shtubina.

ADMIR URUÇI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"