Mbyllen provat tek Elbasani, gati përgjysmimi i grupit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 2, 2019 | 21:32

Mbyllen provat tek Elbasani, gati përgjysmimi i grupit

Pas më shumë se katër javësh përgatitje, ku u provuan shumë lojtarë, kryesisht të rinj, Elbasani tani do të kalojë në një fazë tjetër, sepse kohë për seleksionime nuk ka më.

Elbasani

Kampionati starton pas dy javësh dhe Elbasani gjatë këtyre ditëve duhet të përpilojë listën e lojtarëve që do ta përfaqësojnë sezonin e ri. Në klubin verdheblu pritet të nisë puna me lojtarët që e kanë marrë miratimin e stafit teknik, me në krye trajnerin Shkëlqim Lleshanaku, për të hedhur firmën nën kontratë dhe për të qenë zyrtarisht pjesë e skuadrës.

Gazeta mëson se afro 15 futbollistëve, nga 30 që janë duke u stërvitur aktualisht, do t’u ofrohet kontrata për sezonin e ardhshëm. Pjesa tjetër do të lihet e lirë për ta vazhduar karrierën në ekipe të tjera. Miqësoret e zhvilluara deri më tani kanë shërbyer pikërisht për të bërë këtë ndarje dhe duket se idetë tani janë më të qarta rreth atyre futbollistëve, të cilët do të mbahen nga klubi elbasanas.

Do të lihen shumë vende bosh sa u përket federimeve, për shkak se në Elbasan presin ta bëjnë merkaton me lojtarë cilësorë pas mbylljes së lëvizjeve në Superiore. Ata futbollistë që nuk do të gjejnë vend në 10 ekipet e elitës, apo që edhe nuk do të kenë mundësi aktivizimi të rregullt në to, do të afrohen te verdheblutë, me shumë mundësi në formë huazimi. Në Elbasan nuk duan të flasin për objektiva, por me kontingjentin aktual nuk do të pretendojnë më shumë se qëndrimi në Kategorinë e Parë.

Në rast se do bëhen afrimet cilësore që janë premtuar, atëherë edhe objektivat sigurisht që do të ndryshojnë. Drejtuesit e Elbasanit kanë marrëdhënie shumë të mira me shumë drejtues klubesh të Superiores dhe presin që para 14 shtatorit ta kompletojnë ekipin me lojtarët që do të huazojnë nga elita.

Vladimir Mema

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"