Mbrojtje me 5 dhe sulm efikas, Memelli gati “kurthin” për të thyer edhe… Kukësin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 31, 2021 | 15:19

Mbrojtje me 5 dhe sulm efikas, Memelli gati “kurthin” për të thyer edhe… Kukësin

Ndaj Kukësit, në ndeshjen e fundjavës, Skënderbeu do të ndryshojë fytyrë me qëllim arritjen e një rezultati pozitiv që do të ishte mjaft me vlerë për korçarët në vijim të tentativës së tyre për të qëndruar në elitën e më të mirëve. E tillë ka qenë përgatitja e Skënderbeut për ndeshjen e së dielës, atje ku trajneri Migen Memelli ka provuar të gjejë skemën e duhur për të surprizuar kuksianët.

Skenderbeu-Apolonia-1-1

Ndaj Kukësit në vështirësi, do të jetë në fushë me shumë mundësi një Skënderbe sa i kujdesshëm aq edhe i rrezikshëm në kundërzbritje dhe aksione të shpejta. Këtë është duke përgatitur trajneri pogradecar, i cili në seancën e djeshme u ka kërkuar të tijve të sakrifikojnë për 90 minuta me qëllim arritjen e një rezultati pozitiv. Gjithçka konsiston në ndryshimin e skemës dhe impenjimin maksimal të lojtarëve që do t’u besohet një fanellë titullari për ndeshjen e radhës. Ndryshe nga ndeshjet e fundit, Memelli duket se ka bërë gati skemën 5-4-1 për të tijtë. Një skemë që krijon balanca të mira në prapavijë, por edhe një sulm të rrezikshëm, duke shfrytëzuar shpejtësinë e kundërsulmit dhe kërkon një finalizim të mirë. Këtë ka kërkuar Memelli ditën e djeshme nga të tijtë dhe veçanërisht nga Berisha e Mensah të cilët mendohet se do të jenë dy pikat kyçe të korçarëve në ndeshjen e radhës.

SKEMA – Me ndryshimet e rastit, pritet që Skënderbeu të kërkojë interpretim tjetër të lojës përballë kuksianëve. Dajsinani do të jetë në portë dhe para tij pritet që të formohet një prapavijë hermetike ku do të ndërthuret eksperienca me grintën dhe dëshirën për të bërë mirë. Kapiteni Meksi dhe Zguro do të jenë krahët e një mbrojtjeje të ngjeshur që Memelli po e provon çdo ditë e më shumë, ndërsa pjesa tjetër e mbrojtjes do të plotësohet nga Bajrami, Vitija dhe Sadriu të cilët do të kujdesen për të mbuluar ofensivën tejet cilësore të Kukësit, pavarësisht nga vështirësitë që janë duke kaluar. Pas një mbrojtjeje hermetike fshihet një mesfushë e fortë dhe e shpejtë. Randi dhe Dovuna luajnë për një pozicion me njëri–tjetrin, ndërsa Taipi do të jetë rregullatori i ndërtimit dhe shkatërrimit të aksioneve në varësi të situatës. Disi më të avancuar Mara apo Zhan Viktor dhe Berisha që do të mbështesin Mensah të vetëm në majë të sulmit. Gjithçka do të përgatitet në varësi të kundërshtarit, ku sulmi pritet që të jetë arma kyçe për të tentuar befasinë.

SK

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"