Mbrojtja në alarm, Bylisi me katër mungesa para Flamurtarit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 10, 2019 | 17:20

Mbrojtja në alarm, Bylisi me katër mungesa para Flamurtarit

Bylisi e ka “arkivuar” fitoren me Partizanin, ndonëse tashmë e sheh veten në vend të tretë dhe 2 pikë larg kreut. Entuziazmi është legjitim, e megjithatë në Ballsh po mundohen që ta largojnë euforinë dhe të vazhdojnë të punojnë me përulësi sikundër kanë vepruar në këto 14 javë. 

bylis

Ai trepikësh ka pasur kostot e veta te mallakastriotët. Disa titullarë janë të dëmtuar, ndërsa në listë janë pa dyshim edhe të pezulluarit. Ditmar Bicaj dyshohet se ka pësuar tërheqje dhe duket e sigurt që këtë fundjavë nuk do të luajë dot, ndërsa situata agravohet me kartonët. Me të verdhin që morën kundër “demave”, Donald Mëllugja, Stiven Janku dhe Valentino Murataj humbasin ndeshjen e radhës.

Pra, 4 mungesa të konfirmuara për Flamurtarin. Por, nuk janë të vetmit, pasi i padisponueshëm prej kohësh është edhe Franci Ymeralilaj. Ai pritet që të operohet. Një situatë më shumë se e rëndë për Veljko Dovedan, që do t’i duhet të bëjë pa 4 mbrojtës (Bicaj, Mëllugja, Janku, Ymeralilaj) kundër vlonjatëve. Këto ditë në stërvitje do të mësohet diçka më shumë edhe për strategjinë që do të përdorë boshnjaku, për të mos lënë pikë kundër skuadrës së vendit të fundit të tabelës. I vetmi titullar që i ka rezistuar është Jurgen Goxha, ndaj stafi teknik do të jetë i detyruar që të eksperimentojë.

PËRGATITJET – Ballshiotët kanë nisur përgatitjet për javën e 15-të. Me një seancë të zhvilluar gjatë pasdites, skuadra kreu të parën stërvitje për Flamurtarin. Duhet thënë që nuk pati ngarkesa, pasi më së shumti stafin teknik u përqendrua te rigjenerimi i forcave. Por nga sot, ritmi do të rritet dhe provat që do të kryhen për të gjetur formacionin ideal do të jenë të shumta. Alternativat nuk mungojnë, ndonëse paraprirja po jepte rezultat me katërshen klasike. Ka shumë të ngjarë që këtë javë të nisin si titullarë Turabov e Ujka, të ardhur gjatë merkatos së kësaj vere dhe që shihet si lojtarë të perspektivës.

KALENDARI – Bylisi ka një kalendar që e favorizon disi. Pas Flamurtarit, ballshiotët e mbyllin vitin me Laçin e Luftëtarin në “Adush Muça”. Në të tria sfidat, Bylisi do të kërkojë pikët maksimale, ndërsa presidenca ka nisur që të grumbullojë skuadrën duke qenë se kampionati do të luhet edhe në mesjavë. Vlerësimi është maksimal dhe Kapllanaj ka vendosur që lojtarët të qëndrojë “të ngujuar”.

Erjon Saliu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"