Mbrojtja kthehet në “mallkim”, Partizani luan një finale me Laçin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 23, 2020 | 23:25

Mbrojtja kthehet në “mallkim”, Partizani luan një finale me Laçin

Pas Egzon Belicës, Amir Bilalit dhe Dorian Kërçikut, Partizanit i shtohet një tjetër “hall”. Në Vlorë u dëmtua edhe Deian Boldor, duke mbajtur në ankth stafinm teknik. Prapavija po kthehet në një “mallkim” te të kuqtë dhe sidomos qendra e saj. Nëse tre të parët e kanë mungesën e sigurt për javën e 31-të, me 99% jashtë mbetet edhe i katërti. Dhe nëse ndodh kështu, atëherë Adolfo Sormanit do t’i duhet që t’i bëjë llogaritë vetëm me një lojtar tipik për qendrën kundër kurbinasve.
ivan boldor
Të njëjtin shqetësim e vuajtën edhe në transfertën me Flamurtarin, ku në krah të Eneo Bitrit u vendos pikërisht Esin Hakaj. Një eksperiment që ndoshta do të ripërsëritet edhe ndaj skuadrës së drejtuar nga Armando Cungu, gjithnjë nëse 25-vjeçari nga Rumania nuk rikuperohet në kohë.

BOLDOR – Duhet thënë që Deian Boldor ka kryer direkt ekzaminimet dhe përgjigjet kanë rezultuar pozitive. Dëmtimi nuk është i rëndë dhe për këtë motiv ka nisur edhe terapinë. Ai dje zbriti në fushë sa për të testuar këmbën dhe duhet thënë që dhimbjet janë ende prezente. Megjithatë, fjala e fundit do të jepet në vazhdim. Nëse do të jetë apo jo në fushë, gjithçka do të varet nga gjendja e kaviljes së  qendërmbrojtësit. Nëse do të reagojë mirë, atëherë mund të merret në konsideratë aktivizimi i tij prej teknikut italian.

Laci festa e golit
FINALJA –
Partizani luan një finale me Laçin. Nëse duan që të mbeten në garë për vendin e 3-të (pozicion që të jep direkt një biletë në kompeticionet europiane), atëherë nuk kanë rrugë tjetër veçse të mposhtin kurbinasit. E lehtë nuk do të jetë, pasi përballë do të kenë as më pak e as më tepër, ekipin që mposhti Kukësin dhe e largoi ndjeshëm nga titulli kampion. Diferencën me bardhezinjtë e kanë 5 pikë aktualisht dhe me një fitore të mundshme, do ta reduktonin në 2. Mund të themi që tani se kjo është mundësia e fundit e “demave” për të realizuar objektivin e vetëm që i ka mbetur nga ky sezon futbollistik. “Lufta” po bëhet e ashpër, pasi për këtë vend janë kandidatë edhe Teuta me Skënderbeun (paçka se këta të fundit automatikisht e lirojnë vendin, prej dënimit që kanë marrë nga UEFA). Çdo rezultat tjetër, veç trepikëshit, do t’u prishte ndjeshëm punë të kuqve dhe sidomos kur dihet që kalendari favorizon Laçin. Këta të fundit do të luajnë radhazi në shtëpi, me Flamurtarin dhe Luftëtarin, ekipe që kanë rënë matematikisht nga kategoria. Vetë Partizani e ka më “malore” pasi do të ndeshet në javën e 32-të dhe 33-të me Bylisin dhe Tiranën.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"