Mbrojtja “fut ujë”, Kukësi po vuan si para 6 sezonesh

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 10, 2019 | 20:55

Mbrojtja “fut ujë”, Kukësi po vuan si para 6 sezonesh

Kukësi po vuan. Dhe këtë nuk e themi ne, por rezultatet. Tri humbje të pësuara i kanë rënduar ndjeshëm pozitat e veriorëve. Vendi i 7-të në tabelë dhe mbi të gjitha luhatjet e mëdha nuk i shkojnë aspak përshtat një ekipi që pretendon titullin kampion. E megjithatë, vend për panik nuk ka dhe mjafton të shohësh ngjeshjen që kanë skuadrat në tabelë dhe mbi të gjitha faktin që janë 1 pikë larg 4 bashkëkryesuesve, që të jep shpresë.

kukesi

Gazeta “Panorama Sport” ka bërë një krahasim mes sezoneve, që prej kohës kur kuksianët u ngjitën në Kategorinë Superiore dhe rezulton se ecuria e këtij viti është e ngjashme me atë edicionit 2013-2014. Nëse në vitin e parë pas ngjitjes ishin të renditur të 5-ët pas 7 ndeshjesh të luajtura, në të dytin shifrat linin për të dëshiruar. Dhe sigurisht që jemi duke iu referuar vetëm 630 minutave të para të kampionatit.

teuta kukesi

Pas 2 fitoresh, 2 barazimesh dhe 3 humbjesh, kishin mbledhur vetëm 8 pikë dhe ishin “ngujuar” në vendin e 9-të. Me humbjen raportin e kanë të njëjtë si në atë kohë, por me një fitore më shumë kanë marrë dy pikë më tepër (pra 10) dhe dy vende më shumë në tabelë. Ngjashmëria thellohet kur sheh golat e pësuar. Si atëherë edhe tani, mbrojtja “fut ujë”. 7 gola kishin marrë në atë sezon dhe po kaq kanë marrë edhe aktualisht nën drejtimin e Shpëtim Duros. Sulmi është ai që “ngroh”, po të krahasosh këto dy edicione me njëra-tjetrën.

Statistikat Kukesi

Katër herë realizonin atëherë, ndërsa tani kanë 5 më shumë. Duhet thënë se nga këto 8 edicione radhazi që Kukësi është pjesëmarrës në elitë, vetëm një herë i ka ndodhur të ndërrojë trajner pas 7 javësh. Dhe pikërisht në 2013-2014. E nisi Armando Cungu sezonin, por pas 5 javësh vendin e tij e zuri Nexhi Shensoji.

Edicioni më perfekt për nga renditja është ai pasardhësi (2014- 2015), kur pas 7 javësh nën “timonin” e Artim Shaqirit ishin kryesues me 13 pikë. Por kampionati më i suksesshëm mbetet pa dyshim ai kur trajner ishte Ernest Gjoka (2016- 2017). Kanë pasur më shumë pikë se çdo herë tjetër, 16, por prej garës më të ashpër pozicionoheshin në vend të 3-të. Dhe, në fakt, edhe fundi dha fryte, pasi u shpallën kampionë me statusin e të pathyeshmëve. Numëronin 20 fitore, 13 barazime dhe humbjen e vetme e pësuan në javën e fundit, pasi kishin marrë titullin.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"