Mbrojtja e Tiranës mbetet pezull, tremb dëmtimi i Uellison

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 23, 2017 | 15:19

Mbrojtja e Tiranës mbetet pezull, tremb dëmtimi i Uellison

Tirana nuk po gjen qetë si në qendërmbrojtje. Pas dëmtimit të Gentjan Muçës që në krye të herës, e për të kaluar tek i riu Klisman Cake në nisje të sezonit apo Marvin Turtulli dy javë më parë, më i fundit që i shtohet listës është Uellison de Olivera. Braziliani ka ndërprerë stërvitjen e djeshme, pasi kishin kaluar vetëm 20 minuta.

Uellison

Motivi: lodhje e muskujve të kofshës. Një shqetësim që nuk duket fort i rëndë, e megjithatë e mban atë pezull për ndeshjen e ardhshme. Ze Maria e ka këshilluar që të pushojë, ndaj pjesën e mbetur të seancës së zhvilluar u detyrua që ta ndiqte si spektator nga pankina. Ndikim sigurisht që ka pasur edhe fusha sintetike, ku prej afro dy javësh bardheblutë janë stërvitur.

Dhe në ditën e parë që qendërmbrojtësi preku bar natyral, muskujt e “lanë”. Pastaj pjesa e lodhjes shpjegohet edhe me minutazhin, pasi ai është ndër futbollistët që nuk është ndërruar kurrë nga trajneri i bardhebluve, duke marrë edhe statusin e titullarit të padiskutueshëm. Rreziku mbetet, megjithatë pritet që vetëm sot të shihet gjendja e tij.

Në rast se do të jetë i gatshëm që të përballojë një tjetër 90-minutësh, atëherë e sigurt është që Ze Maria do ta ketë zgjedhje të parë, në të kundërt bashkë me Caken do aktivizojë Bishajn, të cilin ndaj Apolonisë e la në tribunë. Marvin Turtulli, me shumë gjasë, nuk do të jetë gati as këtë javë. Dje zyrtarisht iu bashkua grupit, megjithatë ende nuk është në 100% e tij.

Shanset që ta përfshijë në formacion janë minimale, gjithsesi këto dy ditë do të jenë përcaktuese. Sakaq, dje stafi teknik punoi ndjeshëm me ndërtimin e aksioneve sulmuese nga krahët. Veç aftësive të futbollistëve të linjës, ai vendosi në “provë” edhe sulmuesit.

Gjuajtjet në portë shpesh ishin të sakta, por në tjera momente gabohej në raste flagrante. Në mbyllje nuk mungoi as loja, por duhet thënë që ishte e vështirë të zbuloje titullarët. Duket se Ze Maria po projekton “rrotacionin” e radhës, ndaj edhe dje i shkartisi lojtarët për t’i mbajtur në ankth për 11-shen.

ADELA MERKO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"