Mbrojtja e hekurt, si e ndryshoi Klop Liverpulin. Nga makth në “mur”, 0 gola në dy ndeshje

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 22, 2018 | 10:36

Mbrojtja e hekurt, si e ndryshoi Klop Liverpulin. Nga makth në “mur”, 0 gola në dy ndeshje

Kur Liverpuli iu afrua titullit kam pion me Brendan Roxhersin në vitin 2014 pësoi 50 gola dhe ishte mbrojtja e tetë më e mirë e kampionatit. Lojtarët që kujdeseshin për repartin difensiv në momente të ndryshme ishin Minjole, Xhonson, Skërtel, Ager, Sakho, Flanagan dhe Ture. Gjërat duket se nisën të ndryshonin me Klopin, edhe pse jo në një mënyrë të menjëhershme. Por, shihet qartazi se faza mbrojtëse e Liverpulit në këto momente është si nata me ditën. Investimet rekordmene për portierin Alison dhe mbrojtësin Van Dajk kanë bërë që në dy ndeshjet e para të kuqtë të mos pësojnë gol.

407311_TS_21-08-18_5499869883_

Kur mendon Klopin të krijohet ideja e një trajneri aventurier që qëndron në sulm, por ai është nga ata që ka një balancë mes golave të shënuar dhe atyre të pësuar. Madje, kjo e fundit është shumë herë më e kënaqshme sesa sezonet e tjera dhe tani seriozisht mund të fitojnë titullin kampion. Meritën e ka sigurisht trajneri gjerman, i cili bëri durim në merkato dhe nuk shpenzoi shumë në fillim. Por atëherë kur duhej, bleu lojtarët e duhur për të forcuar ndjeshëm repartin që dikur ishte si një makth.

Porta- Jyrgen Klop vendosi menjëherë se Simon Minjole nuk ishte portieri i duhur për Liverpulin dhe ia besoi këtë rol Kariusit, i cili u transferua për 5 milionë paund nga Mainci. Por edhe ky i fundit e mbylli në mënyrë katastrofë sezonin me dy gabime në finalen e Ligës së Kampionëve kundër Realit. I gjendur përballë kësaj situate, Klop transferoi një nga portierët më të mirë në botë. Alison Beker u vesh i kuq për 66 milionë paund. Shifër e lartë, por ai ia vlen. Alison ka bërë pritje të shkëlqyera dhe spektakolare në dy ndeshje duke mbajtur portën e paprekur.

Krahu i djathë- Roxhers bleu Nathaniel Kljan për t’i zënë vendin Xhonsonit. Edhe Klop e pëlqente shumë atë, por dëmtimi nuk e la që të tregonte vlerat. Dhe trajneri vendosi që në krahun e djathtë të aktivizonte të riun Aleksandër Arnold. Përfundimi? Spektakolar. Ai është një lojtar që luan me të dyja këmbët dhe në të dyja fazat, si në atë mbrojtëse dhe në atë sulmuese.

Qendra- Klop “ngriu” mbrojtësit Sakho dhe Skërtel duke ua bërë të qartë se nuk kishin më vend në skuadër. Ai kërkonte patjetër një shok reparti për Lovrenin, por Matip dhe Klavan nuk ofronin siguri. Trajneri e dinte përgjigjen, ishte Van Dajk. Ai priti momentin e duhur për ta transferuar holandezin, i cili tani është një nga më të mirët në Angli. Me Van Dajkun në fushë, Liverpul arriti në finalen e Champions-it duke eliminuar Mançester Sitin.

Krahu i majtë- Ky rol ka qenë “Thembra e Akilit” për skuadrën e të kuqve për shumë vite. U transferua Alberto Moreno, për më shumë ishte problem sesa zgjidhje. Klop bëri gjithçka për ta zëvendësuar atë dhe i dha besim skocezit Andi Robertson. Ai ishte një nga zbulimet e vitit të kaluar.

Përgatiti: GENTJAN ALINANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"