Mbrojtja, e dyta më e dobët e kampionatit/ Kukësi, zhbllokimi i sulmuesve ngroh Dobin para Laçit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 28, 2022 | 21:58


Mbrojtja, e dyta më e dobët e kampionatit/ Kukësi, zhbllokimi i sulmuesve ngroh Dobin para Laçit

Fitorja në Kupë ka rikthyer në njëfarë mënyre qetësinë tek ekipi i Kukësit, edhe pse përballë patën një kundërshtar që nuk mund të maste forcat reale. Testi i vërtetë është ai ndaj Laçit këtë fundjavë, që gjithashtu si verilindorët janë në një krizë rezultatesh.

kukesi

Tekniku Dobi shpreson të largojë nga kolapsi skuadrën dhe po merret me detajet e fundit për të rregulluar gjërat që nuk kanë shkuar deri më tani. “Panorama Sport” i ka bërë një skaner golave të shënuar dhe pësuar nga Kukësi në këto pesë javë kampionat dhe bie në sy që blutë nuk janë efikasë në të gjitha format për të shkuar te rruga e rrjetës dhe nga ana tjetër pësojnë gola nga çdo pozicion.

GOLAT E SHËNUAR – 4 gola në pesë javë janë shumë pak për një skuadër që pretendon të shkojë te trofetë. Mirëpo, jo më kot verilindorët janë të fundit në renditje, sepse kanë një mesatare golash të shënuar për ekip mbijetese. Nga një vëzhgim që ka bërë gazeta, skuadra nuk ka shënuar asnjë gol me kokë dhe i beson më shumë majtoshëve, të cilët kanë shënuar tri herë, përkundrejt një goli me të djathtën.

Nga këto katër rrjeta, tre prej tyre janë shënuar brenda zonës së rreptësisë dhe vetëm një nga jashtë zone. Një problem që është vënë re, lidhet edhe me mungesën e golave nga goditjet e ndaluara, pasi të katër rrjetat janë shënuar nga aksione të rrjedhshme. Të dhëna që tregojnë në njëfarë mënyre edhe dobësitë e skuadrës në gjetjen e rrjetës, të cilat me siguri trajneri dhe stafi e kanë të qartë dhe do të përpiqen të sajojnë diçka për të shkuar te goli në çdo mënyrë.

GOLAT E PËSUAR – Një panoramë krejt tjetër paraqitet te golat e pësuar, me verilindorët që nxjerrin topin nga rrjeta thuajse në të gjitha format e mundshme. Kështu, nga shtatë golat e pësuar, katër prej tyre kanë ardhur brenda zonës dhe tre nga jashtë saj. E djathta ka shkaktuar më shumë dëme në portën blu, pasi janë shënuar katër, përkundrejt dy rrjetave me të majtën dhe një goli me kokë.

Sa i përket mënyrës së pësimit të tyre, katër prej golave kanë ardhur nga aksione të ekipeve kundërshtare dhe tre prej tyre janë shënuar si rrjedhojë e goditjeve të ndaluara, ku dy kanë nisur nga goditjet e këndit. Me golat e pësuar, Kukësi është mbrojtja e dytë më e dobët e kampionatit, ku i paraprin vetëm Teuta që ka pësuar një më shumë. Mbetet për t’u parë se sa do të rregullohet bilanci edhe në prapavijë, ku sigurisht Dobi ka ende punë për të bërë.

kukesi

SULMUESIT – Mirëpo, pavarësisht situatës së vështirë në kampionat, si me rezultatet ashtu edhe me lojën, duket se një sinjal shprese ka ardhur nga kupa. Fitorja 3 me 0 ndaj Labërisë riktheu sulmuesit edhe te golat, ku braziliani Barbosa arriti të gjente edhe golin e parë në futbollin shqiptar, ashtu si edhe Giasi.

Konfirmohet Daci, i cili hapi serinë e golave dhe Dobi mund t’i kënaqet formës së mirë të repartit ofensiv para ndeshjes me Laçin. Mbetet për t’u parë nëse do të jenë edhe kaq efikas ndaj kurbinasve të shtunën apo sërish verilindorët do të shfaqin probleme për të shkuar te goli.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL