Mbrojtja bën me dhimbje koke Maganin, Besa “fut ujë” në prapavijë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 11, 2019 | 16:59

Mbrojtja bën me dhimbje koke Maganin, Besa “fut ujë” në prapavijë

Treguesit e Besës në këto 4 javë të para janë kontradiktorë. Kavajasit kanë shënuar gjithnjë të parët në 4 ndeshjet e deritanishme, ndaj Orikut, Elbasanit, Lushnjës dhe Turbinës, madje ndaj 3 kundërshtarëve të fundit dy gola, por më pas ka hasur vështirësi. Paradoksi qëndron në mënyrën si i ka humbur pikët dhe si i ka pësuar golat. Ky fakt e ka shqetësuar dhe nervozuar jo pak trajnerin Gugash Magani.

besa

MAGANI 

Peqinasi i stolit të Besës e pranon këtë handikap. “Është e vërtetë që kemi shënuar të parët në çdo takim dhe mënyra si i kemi pësuar golat më ka lënë shije të keqe. Në Orikum thuajse ia dhuruam golat kundërshtarit. Në Lushnjë po ashtu pësuam 3 gola, të gjithë në qendër të mbrojtjes, ku kemi lojtarët më me përvojë. I njëjti rrezik edhe me Turbinën. Për një trajner detyra primare është ta çojë ekipin sa më shpejt në sulm dhe ne këtë e kemi bërë, kemi shënuar dhe shpërdoruar. Mendoj se herë vetëkënaqësia dhe herë egoizmi apo mungesa e përvojës kanë bërë që ne të shpërdorojmë raste flagrante. Dihen pasojat, vetëm 6 pikë në 4 javë, kur duhej të kishim më shumë.

gugash magani

Këto ditë po punojmë fort pikërisht në korrigjimin e këtij defekti. Kundër Ilirisë do të jemi plotësisht gati. Besa po vuan edhe nga faktorë të tjerë. Jemi ekipi i vetëm në Grupin B që luajmë vetëm jashtë dhe na mungojnë tifozët që nga java e parë. Nuk është pak për një ekip futbolli, pa llogaritur moshën e re në ekip. Të rinjtë kanë nevojë për karikim e mbështetjen e publikut, që i ka munguar. E kam thënë dhe e përsëris se në dhjetor do të shihni një Besë ndryshe. Kam besim të madh te ky grup që po rritet. Na duhet të korrigjojmë prapavijën dhe pikët do të vijnë. Besa shënon rregullisht dhe kjo është një garanci”.

MIQËSORJA

Besa do të luajë nesër një ndeshje miqësore në stadiumin e Peqinit me Shkumbinin vendës. Një test, që do t’i shërbejë trajnerit Gugash Magani të stabilizojë repartin e prapavijës, pikën më të dobët të skuadrës deri në këtë moment të kampionatit, por edhe të ambientohet më mirë me atë fushë, ku besohet se do t’i luajë tashmë të gjitha ndeshjet si pritëse.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"