Mbrojtësi zyrtarizon largimin nga Luftëtari, Novi dënon një tjetër lojtar te gjirokastritët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 23, 2020 | 8:54

Mbrojtësi zyrtarizon largimin nga Luftëtari, Novi dënon një tjetër lojtar te gjirokastritët

Armenis Kukaj e mbyll me Luftëtarin. Edhe pse kanë mbetur edhe 180 minuta për t’u luajtur nga ky kampionat, qendërmbrojtësi ka prishur kontratën dhe prej ditës së djeshme është zyrtarisht i lirë. Pas dy sezonesh në Gjirokastër, ku në total është aktivizuar për 23 ndeshje, 22-vjeçari i ka dhënë fund kësaj aventure.KUKAJ

Marrëveshja është prishur me konsensus dhe këtë e konfirmon vetë lojtari nga Kopliku për “Panorama Sport”. “Nga sot (dje) jam lojtar i lirë, kam prishur kontratën dhe do të vazhdoj karrierën në një tjetër skuadër të kampionatit shqiptar. Për aq sa kam qenë te Luftëtari, falënderoj të gjithë tifozët, qytetin, stafin teknik dhe trajnerët. Veçanërisht falënderoj ish-presidentin Grigor Tavo. I uroj suksese Luftëtarit”, ka thënë shkurtimisht Kukaj, i cili dje nuk mori pjesë as në stërvitjen e zhvilluar në orën 18:30 në “Fushën e Vjetër”.

Gjatë kësaj seance u pa i veçuar nga pjesa tjetër e grupit edhe Aldrit Oshafi. Sulmuesi nuk ka asnjë problem fizik, por është i dënuar. Neritan Novi ka marrë këtë masë ndaj sulmuesit pasi refuzoi që të qëndronte në stol në ndeshjen e kaluar. Ishte vetë trajneri që sqaroi gjithçka për rastin e beratasit, pasi u pyet nga gazetë: “Lojtarin e kam dënuar deri në fund të kampionatit, pasi në ndeshjen ndaj Skënderbeut u largua nga pankina”.

aldrit oshafi

Nën urdhrat e stafit teknik nuk ishte as Enes Isufi, i cili nxori bërrylin në takimin e luajtur kundër Skënderbeut. Mbrojtësi 20- vjeçar e ka të pamundur që të stërvitet, ndaj do i duhet që të pushojë edhe disa kohë dhe rrjedhimisht humb përballjen me Bylisin.

STËRVITJA – Skuadra ka vijuar përgatitjet për javën e 35-të të Kategorisë Superiore, ndeshje e cila do të luhet në transfertë. Duke parë afërsinë gjeografike me Ballshin, klubi ka menduar që skuadra të niset brenda ditës. Pra sot do u japin dorën e fundit përgatitjeve për Bylisin dhe nesër do të marrin rrugën drejt Ballshit.

TOMOR SHEHU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"