Mbrojtësi Meksi flet për aventurën në Korçë: Mundim Kukësin, ja pse erdha te Skënderbeu

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 16, 2019 | 21:38

Mbrojtësi Meksi flet për aventurën në Korçë: Mundim Kukësin, ja pse erdha te Skënderbeu

Skënderbeu nuk e ka krijuar ende vijimësinë në kampionat. Tregon luhatje pas çdo ndeshjeje, por duket se kjo nuk e pengon që të kërkojë maksimumin në takimin e radhës kundër Kukësit. I këtij mendimi është edhe mbrojtësi i Skënderbeut, Jorgo Meksi, i cili kërkon fitoren pavarësisht kundërshtarit.

jorgo meksi

Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, Meksi shprehet i kënaqur me atë çka po jep në këtë ekip, pavarësisht kohës së pakët të përshtatjes. Ai flet edhe për zgjedhjen e Korçës dhe Skënderbeut për të vijuar karrierën.

Meksi, jeni një lojtar i ri i Skënderbeut, a keni filluar të përshtateni me grupin?

Po, kam mbërritur këtu vetëm pak ditë nga mbyllja e merkatos dhe fillimi normalisht që ka qenë i vështirë për mua derisa të hyja plotësisht te grupi. Ndeshje pas ndeshjeje jam më mirë dhe ekipi në tërësi është i lidhur. Personalisht ndihem mirë, pasi edhe shokët më kanë ndihmuar shumë për të qenë në nivelin e duhur dhe për t’u ingranuar shpejt me pjesën tjetër të ekipit.

Skënderbeu këtë sezon ka pasur shumë luhatje. Si e shikoni skuadrën?

Normalisht që fillimi ka qenë i vështirë. Kjo për shkak të ndryshimeve të shumta që u bënë në ekip. Mund të them se tashmë kemi filluar të merremi vesh më shumë me njëri-tjetrin. Mungesa e fazës përgatitore, ose më saktë moskryerja e plotë e kësaj faze nga i gjithë grupi ndikon te ne të gjithë dhe veçanërisht te loja që bëjmë.

Reparti i mbrojtjes është i riformatuar i gjithi dhe po has vështirësi. Pse ndodh kjo?

Nuk besoj se fajtore është vetëm mbrojtja, por është një problem në tërësi i të gjithë ekipit. Kemi probleme me mbrojtjen nga fillimi e deri në fund dhe jo një repart i caktuar. Trajneri na ka folur shumë për këtë. Duhet të jemi më të përqendruar dhe të bëjmë më shpejt tranzicionin negativ. Plus kësaj, jemi ndëshkuar shumë me kundërsulme dhe për këtë nevojitet që të mbyllim në kohë hapësirat e krijuara kur ekipi është në sulm.

Ekipi ka shumë luhatje nga një ndeshje në tjetrën. Si e shpjegoni këtë fakt?

Besoj se skuadra është e re dhe ende nuk kemi mësuar se si luajnë në veçanti lojtarë të caktuar. Duhet të pranojmë se ende nuk jemi plotësisht të lidhur si grup. Plus kësaj, një pengesë të madhe na kanë dhënë edhe dëmtimet e shumta që kemi pasur këtë fillimsezoni dhe kjo na e bën më të vështirë përshtatjen.

Në horizont ndeshja me Kukësin. Si e shikoni këtë takim?

Do të luajmë këtë takim për të fituar dhe për të marrë trepikëshin. Luajmë në fushën tonë përballë tifozëve tanë dhe kjo duhet të na vlejë si stimul.

Përballë do të keni një ekip pretendent, të cilit i mungojnë shumë pikë…

Po e dimë që Kukësi është një ekip shumë i fortë dhe mjaft i rrezikshëm. Një ndër pretendentët kryesorë për titull, por të mos harrojmë se cilët jemi ne. E dimë që do të vijë të marrë maksimumin, por ne jemi të vendosur për të bërë mirë dhe të marrim maksimumin.

Si ndihet Meksi në Korçë?

Ndihem shumë mirë, mund të them se jam në shtëpinë time këtu. Unë kam mamanë nga Korça dhe këtu kam edhe gjyshërit. Jam i kënaqur që u riktheva në një qytet të origjinës.

Çfarë ju bindi të vinit këtu pas aventurës në Gjirokastër?

Nuk ka qenë e vështirë si zgjedhje. Dihet ajo që ka bërë Skënderbeu në këto vite dhe thjesht kjo famë dhe ky emër i madh më bindi që të pranoja pa hezitim.

Llazi Saro

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"