Mbrojtësi me temperaturë, Kukësi humb titullarin para Debrecenit. Gjoka ka vetëm… 17 lojtarë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 10, 2019 | 23:23

Mbrojtësi me temperaturë, Kukësi humb titullarin para Debrecenit. Gjoka ka vetëm… 17 lojtarë

Kukësi i ka dhënë fund fazës përgati tore, e cila zgjati tri javë, por në vigjilje të Debrecenit, humb qendërmbrojtësin Ylli Shameti.

ylli shameti

Verilindorët mbas fitimit të Kupës në datën 2 qershor morën pushimet e në mesin e këtij muaji rifilluan stërvitjen. Tashmë çdo gjë është ezauruar e ekipi i drejtuar nga trajneri Ernest Gjoka është gati për t’u përballur me Debrecenin më 11 korrik në Hungari.

Sot (dje) skuadra u bë gati dhe u nis drejt Hungarisë. Surpriza është kapiteni Ylli Shameti, i cili nuk është grumbulluar me ekipin. Shtatlarti do të mungojë në sfidën e parë, pasi e ka zënë një virozë stinore. Kapiteni ka qenë me temperaturë të lartë, që prej ditës së djeshme. Shtatlarti ka marrë instruksionet e mjekëve të ekipit dhe lajmin për gazetën e kanë konfirmuar zyrtarë të klubit, të cilët kanë thënë se kapiteni nuk do të jetë prezent në këtë takim për shkak të temperaturës së lartë, e cila i ka kaluar disa herë 39 gradë, madje me luhatje.

kukesi

Shameti ka shfaqur probleme në fund të kampionatit nga shputa e këmbës, pasi ka luajtur i dëmtuar pak javë larg mbylljes së sezonit ndaj Luftëtarit. Pas disa kohësh stërvitjeje intensive, ai u rikuperua plotësisht, madje ishte vetë klubi që e reklamoi këtë gjë në faqen zyrtare. Me mungesën e Shametit, dyshja e qendrës së mbrojtjes do të formohet nga Cuculi e Teqja.

SI LUAN EKIPI

Nga Kukësi janë larguar tre futbollistë mjaft të rëndësishëm si Rexhinaldo, Uilliam Melo e Irakli Dzaria. Largimi i tyre ka lënë një boshllëk të madh, të cilin drejtuesit akoma nuk e kanë amortizuar. Është fakt që nënkampionët kanë afruar pesë lojtarë, Emiljano Musta, Tome Kitanovski, Markovanbasten Cema, Ilir Abdyli e Bruno Lulaj, por asnjërin si zëvendësues të largimeve.

kukesi debrecen

Të ndodhur në këto kushte, trajneri Gjoka e theksoi tri ditë më parë në një prononcim për faqen e klubit se aktualisht ai ka në dispozicion 17 lojtarë. Një masë jo e mjaftueshme futbollistësh, e aq më tepër kur stafi ka në dispozicion vetëm Shkurtajn në sulm. Me këtë kontingjent futbollistësh, trajneri Gjoka është i detyruar të sfidojë hungarezët. Skema do të jetë 4- 4-2 ku Shkurtaj do mbështetet nga Rroca ose Valder Rama.

Kështu Stivi Frashëri do mbrojë portën, Kitanovski në të djathtë, Cuculi e Teqja do mbrojnë qendrën, Rrumbullaku në të majtë. Mesfusha do të rreshtohet me Ethemin në të djathtë, Musolli e Limaj në qendër, Rama ose Rroca në të majtë. Sulmi do udhëhiqet nga Vasil Shkurtaj, por dilema është që kush do jetë mbështetësi i tij, Rama apo Rroca, gjë të cilën trajneri Gjoka do ta vendosë në ditën e fundit.

SKËRDILAID SULOZEQI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"