Mbrojtësi maqedonas i Teutës: Ju tregoj armën tonë më të fortë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 18, 2018 | 18:47

Mbrojtësi maqedonas i Teutës: Ju tregoj armën tonë më të fortë

Bojan Gjorgievski “skanon” Teutën. Mbrojtësi i linjës së djathtë duket se ka gjetur veten në Durrës dhe këtë nuk ngurron që ta pranojë në një deklaratë të dhënë për “Panorama Sport”. “Ky edicion nisi me shumë ndryshime dhe me objektiva të rinj për Teutën, tepër konkret. Ishim një grup i ri dhe e them në të shkuarën ‘ishim’, sepse tani jemi ambientuar dhe kuptohemi shumë mirë me njëri-tjetrin, sa duket që kemi vite që luajmë së bashku.

bojan gjorgjievski

Starti pati disa luhatje, por ecuria jonë në javët e fundit është mjaft pozitive. Kemi besim dhe tani hyjmë në fushë ndaj çdo kundërshtari vetëm për fitore. Nëse ruajmë dëshirën dhe do jemi të përpiktë në detyrat e dhëna nga stafi teknik, pa dyshim që do të mbetemi në të tilla pozita. Po vazhdojmë të punojmë akoma dhe më fort, pasi jemi të vetëdijshëm që nuk kemi arritur ende asgjë. Kampionati është shumë i gjatë ende. Vetëbesimi ka rritur mirëkuptimin mes nesh në lojë dhe këto kanë ndikuar edhe në rezultatet pozitive”, tha fillimisht maqedonasi.

Kur pyetet për pikën më të fortë të ekipit, mbrojtësi përgjigjet: “Çdo futbollist ka nevojë që të ketë besimin dhe mbështetjen e stafit teknik. Jam i lumtur që punoj më këtë staf teknik, pasi janë shumë seriozë dhe meritën më të madhe pa dyshim e ka trajneri ynë për këtë ecuri. Këtu punohet në qetësi dhe kjo është shumë pozitive sepse të lejon të shprehesh më mirë”.

Si çdo i huaj, Shqipëria ofron ambientin e duhur për familjen dhe ambientimi nuk ka qenë aspak i vështirë për 26-vjeçarin. “Ambientimi në qytetin e Durrësit ka shkuar shumë mirë dhe këtu jetoj me familjen time. Kjo më ndihmon më shumë. Njerëzit janë shumë pozitivë dhe këtu është shumë bukur”, është shprehur futbollisti nga Shkupi.

Në fund, ai flet për kampionatin dhe një parashikim se ku mund të arrijë Teuta. “Kampionati ka shumë pak diferenca midis ekipeve. Çdo skuadër këtu është e fortë dhe ka synimet e saj, pavarësisht pozicionit apo formës së treguar deri më tani. Është një kampionat fizik dhe kjo e bën më interesant. Pa dyshim që ne jemi duke punuar të arrijmë objektivat tona dhe jam i bindur që në fund do të jemi aty ku duam. Puna jonë do të shpërblehet”, ka përfunduar Gjorgievski.

Anarildo Alia

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"