Mbrojtësi maqedonas i kënaqur me durrsakët: Presioni ndihet, por Teuta mbijeton

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 23, 2018 | 17:27

Mbrojtësi maqedonas i kënaqur me durrsakët: Presioni ndihet, por Teuta mbijeton

Në një prononcim për “Panorama Sport”, mbrojtësi i Teutës, Bojan Gjorgievski, e pranon situatën e vështirë në të cilën ndodhet ekipi, por beson se ata do të kthehen te rezultatet pozitive dhe këtë do ta tregojnë të shtunën kundër Flamurtarit. “Është një momenti i vështirë ky që po përjetojmë, por gjithçka do të ndryshojë dhe kam shumë besim për këtë. Duke besuar te grupi, ne do të kthehemi. Nga kjo javë do të fillojë kthesa jonë.

bojan gjorgievski

Ndaj Flamurtarit është një ndeshje shumë e rëndësishme për ne. Kundërshtari po kalon një moment shumë të mirë dhe jo më kot pozicionohet në vend të dytë. Gjithsesi, ne kemi shanset tona dhe, nëse ne luajmë si grup dhe jemi kompakt në fushë, kam besim se jo vetëm Flamurtarit, por çdo ekipi mund t’i marrim fitoren. Duhet të mendojmë vetëm për fitoren dhe në këtë mënyrë do t’ia dalim. Kemi punuar fort në stërvitje dhe shpresoj që edhe fatin ta kemi me vete në këtë ndeshje. Do mundohemi që të rikthejmë edhe tifozët sepse qyteti i Durrësit nuk e meriton këtë pozicion në klasifikim ku ndodhemi tani”, u shpreh fillimisht Gjorgievski.

PROBLEMET- Për sa u përket gjërave që nuk kanë funksionuar te Teuta, mbrojtësi u shpreh: “Kemi pësuar humbje, jo se nuk kemi bërë ndeshje të mira, por sepse në ndonjë rast kemi bërë gabime individuale. Një tjetër element është edhe fakti se nuk jemi vendosur mirë taktikisht, por mendoj se tani jemi ambientuar dhe do të tregojmë vlerat si ekip”.

MBIJETESA DHE PËRMIRËSIMI

“Patjetër që kemi presion e mbijetesës, pasi e dimë shumë mirë se nuk jemi në pozicion të mirë në klasifikim. Por, mendoj se do ta kalojmë këtë moment. Fillimisht të gjithë duhet të japim më të mirën në fushë, më pas duhet të shmangim gabimet individuale, pasi janë ato që na kanë penalizuar gjatë gjithë kësaj periudhe. Por gjithçka vjen me punë dhe impenjim maksimal në fushë”.

Ambientimi- “Jam ambientuar mirë. Të gjithë më kanë pritur mirë dhe më respektojnë shumë. Më ka bërë përshtypje që janë shumë mikpritës, ma kanë bërë shumë të lehtë ambientimin. Durrësi është një qytet i bukur dhe më pëlqen shumë. Gjuha është një element, por nuk mendoj se është thelbësor, pasi tani e njohim mjaft mirë njëri-tjetrin dhe mund të them se tani edhe i parashikojmë lëvizjet e shokëve të skuadrës. Më shumë shoqërohem me Amir Bilalin, pasi ai di edhe gjuhën time dhe është me i lehtë komunikimi me të”, u shpreh Gjorgievski.

Drilon Xhepollari

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"