Mbrojtësi lë pas dëmtimin dhe rikthehet pas 6 muajsh, Kukësi përgatit kthesën në Korçë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 16, 2019 | 16:47

Mbrojtësi lë pas dëmtimin dhe rikthehet pas 6 muajsh, Kukësi përgatit kthesën në Korçë

Në datën 6 prill 2019, Kukësi humbi 2-1 ndaj Kastriotit dhe doli jashtë garës për titull. Në fund të atij takimi u shkarkua trajneri Ramadan Ndreu (trajneri aktual i Kastriotit), por fati nuk ishte me Kukësin edhe sa u përkiste dëmtimeve. Në atë ndeshje, në minutën e 10-të doli nga fusha e lojës qendërmbrojtësi Gëzim Krasniqi, i cili u zëvendësua me Faton Xhemailin.

krasniqi-1

Dëmtimi në gju qëlloi fatal për Krasniqin, pasi jo vetëm humbi sezonin, por edhe gati gjithë fazën e parë të sezonit aktual. Por, Krasniqi nuk u dorëzua dhe ia doli mbanë. Pas operacionit, vetëm pak ditë më vonë nga momenti kur u dëmtua, nisi periudhën e riaftësimit gradual.

Pas 6 muajsh jashtë fushave, ai ka dalë në fushë për të nisur fazën e rikuperimit të plotë. Natyrisht, në ditët e para mbrojtësi punoi veçmas me një program të veçantë, e tashmë duket se çdo gjë ka kaluar me sukses. 29- vjeçari po stërvitet me ritme të larta, duke marrë intensitet të plotë. Ai i është bashkuar grupit dhe për punë ditësh do të kapë ritmin e plotë dhe të nisë të luajë. Madje që nga ndeshja e radhës kundër Skënderbeut ai mund të jetë i grumbulluar. Pritet që nga fillimi i muajit nëntor Krasniqi të rikthehet të luajë, pse jo si titullar. Mbrojtësi kavajas do të jetë një armë shtesë për trajnerin Duro.

KËRKOHET KTHESA

Dy humbje radhazi për Kukësin janë me të vërtetë shumë. Kur ndaj Teutës “digjte” fakti i penalltisë së dhënë nga arbitri Enea Jorgji dhe episodi i një kartoni të kuq të padhënë në favor të Kukësit, ndaj Vllaznisë nuk pati më asnjë justifikim apo ankesë. Kukësi fut “ujë”, sidomos sektori i mbrojtjes, 7 gola të pësuar në po kaq ndeshje janë shumë. As sulmi nuk ka bërë më të mirën e mundshme, 10 gola në 7 javë, sërish nuk janë shumë. 1.42 gol për ndeshje. Shumë raste të humbura, egoizëm i panevojshëm në zonë, i cili është në dëm të ekipit dhe objektivave.

kukesi

Kukësi ka një objektiv, titullin kampion, e nëse në çdo ndeshje nuk do merren pikët maksimale, atëherë rrezikohet ndjeshëm fati i kampionatit. Nga ana tjetër, është presidenti Gjici i cili pas presioneve të vazhdueshme për pikë, tashmë nuk ka vijuar asnjë komunikim me ekipin, por duke mos dashur të ushtrojë presion e trysni ndaj ekipit dhe drejtuesve, ka qëndruar në heshtje.

Ai pret fitoren në Korçë dhe ngjitjen në renditje, pasi kreu është vetëm dy pikë larg Kukësit. Drejtuesit ua kanë bërë të qartë situatën lojtarëve, ndaj në rast mosreagimi në kohë, situata mund të dalë nga kontrolli dhe objektivat të cenohen. Të gjithë e kanë kuptuar situatën dhe ekipi duket i bashkuar duke qenë mjaft optimistë për një rezultat të mirë në Korçë.

Skerdilaid Sulozeqi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"