Mbrojtësi korçar i kthyer në njeriun asist: Kamzën mos e quani surprizë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 12, 2018 | 21:20

Mbrojtësi korçar i kthyer në njeriun asist: Kamzën mos e quani surprizë

Nuk është fantazist, por luan si mbrojtës i djathtë dhe, që prej fazës së parë, mund të quhet pa frikë si njeriu asist i Kamzës. Bëhet fjalë për mbrojtësin korçar, Erlis Frashëri, i cili, në fillimet e karrierës te Skënderbeu, ka luajtur si sulmues krahu, ndërsa më pas te Teuta në rolin e mesfushorit të djathtë. 29-vjeçari është një lojtar polivalent, që mund të përshtatet ku ka nevojë trajner Ramadan Ndreu.

Frasheri

Edhe në Kukës bëri shumë mirë mbrojtësin e djathtë, por duke i tejkaluar pritshmëritë. Jo vetëm mbuloi brazilianin Kale, por arriti që të jepte edhe krosimin për Rezin, nga ku erdhi goli i fitores së Kamzës në minutën e 69-të. I kontaktuar dje nga “Panorama Sport”, korçari theksoi se Kamza nuk duhet të quhet më surprizë. Sipas tij, Kukësi nuk duhet të ankohet për arbitrin, pasi Kamza nuk vodhi asgjë.

“Mendoj se bëmë një ndeshje taktikisht perfekte në Kukës. Ashtu siç rrodhi loja, ku i lamë pak hapësira kundërshtarit, shënuam pikërisht në momentin e duhur. Më pas administruam rezultatin, duke i dhënë pak shanse Kukësit. Është turp që të na hidhet djersa poshtë, duke aluduar për gjyqtarin. Nuk vodhëm asgjë në Kukës, thjesht merituam fitoren për lojën që bëmë. Vijmë nga një fazë përgatitore shumë e mirë, që po jep tashmë frytet”, ka thënë fillimisht Frashëri.

I pyetur për sekretin që ka ky grup lojtarësh, mbrojtësi i krahut deklaroi: “Nuk jemi futur kurrë në fushë si inferiorë. Kemi respektuar kundërshtarët, por ama nuk jemi mbyllur në mbrojtje për të ruajtur rezultatet. Sekreti ynë është që kemi guxuar dhe ia kemi dalë, madje ndaj skuadrave më të forta të kampionatit”. Sa u përket objektivave dhe shanseve për një vend në Europë, Frashëri jep këtë përgjigje: “Janë edhe 17 ndeshje për t’u luajtur. Rëndësi ka që për momentin nuk kemi presionin e pikëve. Nuk e mendojmë aspak Europën, por thjesht ndeshjen e radhës. Nëse deri në fund mbajmë këtë ritëm, natyrisht mund ta kapim edhe Europën”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"