Mbrojtësi korçar i Kamzës, sinjale largimi: Kam disa oferta, nuk e di nëse qëndroj…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 9, 2018 | 16:53

Mbrojtësi korçar i Kamzës, sinjale largimi: Kam disa oferta, nuk e di nëse qëndroj…

Erlis Frashëri mbylli një sezon fantastik me fanellën e Kamzës. Mbrojtësi i djathtë ishte një prej lojtarëve më të spikatur, bashkë me golashënuesin Sebino Plaku. Korçari u kthye në një “xhol”, teksa si trajneri Ramadan Ndreu, ashtu edhe Julian Ahmataj, e përdorën në disa pozicione. Pas përfundimit të sezonit, Frashëri u shfaq edhe në takimin që drejtuesit e klubit bënë me trajnerin italian, Pietro Vierkovud.

Frasheri

Presidenti Naim Qarri dhe kryebashkiaku Xhelal Mziu kanë besuar shumë te korçari, i cili u afrua te Kamza që në verën e vitit 2016 si një prej lojtarëve të kërkuar nga trajneri i atëhershëm, Bledar Devolli. Mirëpo, pas një sezoni mbresëlënës në Superiore, ku Frashëri u bë protagonist i asisteve të shumta për gol dhe një rendimenti për t’u admiruar në krahun e djathtë të mbrojtjes dhe mesfushës, e ardhmja tashmë është në pikëpyetje. Frashërit i përfundon kontrata me Kamzën dhe ndërkohë ofertat nuk i mungojnë. “Mendoj se mbyllëm një sezon pozitiv, edhe pse me shumë ankth në fazën e katërt.

E merituam plotësisht qëndrimin në Superiore, pasi ishim më mirë se rivalët tanë direkt gjatë gjithë kampionatit. Natyrisht patëm edhe ne ato momentet jo të mira, por gjithsesi ia dolëm në fund, pasi e merituam me atë që dhamë në fushë për 36 javë”, ka thënë fillimisht Frashëri në një bisedë për “Panorama Sport”. I pyetur për të ardhmen, korçari lë gjithçka pezull.

“Kontrata ime me Kamzën përfundon dhe në këtë moment nuk mund të them nëse do të vazhdoj edhe për sezonin e ardhshëm. Jemi në periudhë pushimesh dhe nga ana e klubit nuk pasur ende diçka konkrete. Për fat të mirë ofertat nuk më mungojnë. Kam pasur kontakte me dy klube të Superiores, por edhe me një skuadër greke, që prej dy muajsh është interesuar për mua. Gjithsesi, për momentin jam disi i dyzuar. Do pres dhe pak për të vendosur përfundimisht”, përfundoi korçari, i cili ka eksperiencë në elitën e futbollit shqiptar, pasi ka luajtur edhe me Skënderbeun e Teutën.

A.Dushku

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"