Mbrojtësi karikon Lushnjën përpara “derbit”. Barazimi nuk mjafton, Magani: Për fitore në Fier

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 20, 2023 | 17:55

Mbrojtësi karikon Lushnjën përpara “derbit”. Barazimi nuk mjafton, Magani: Për fitore në Fier

Lushnja e nis fazën e dytë me “derbi”. Të mërkurën udhëtojnë në Fier, atje ku i pret Apolonia. Edhe pse do ta kenë të vështirë, në kampin verdhejeshil janë të bindur që do të ruajnë trendin e rezultateve pozitive. Në tri ndeshjet e fundit kanë grumbulluar 5 pikë dhe i janë afruar zonës “play off”. Kanë mundësinë edhe për të marrë “hak”, për atë humbje që pësuan në “Elbasan Arena” në nisje të këtij sezoni.

lushnja

Fierakët i mundën me shifrat 0-3, duke i hapur një plagë të madhe skuadrës. E megjithatë, lushnjarët duan që të tregojnë se kanë ndryshuar dhe mënyra më e mirë është që të marrin pikë në “Loni Papuçiu”. Këtë e thotë edhe Endrien Magani, që nuk e quan aspak të pamundur misionin. Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, ai tregon rëndësinë që ka ky 90-minutësh për vazhdimësinë. “Pas ndalesës së garës, sezonin e rinisim me ‘derbi’. Ndeshje të tilla i kanë që të tria rezultatet brenda.

E megjithatë, ne do të shkojmë në Fier për të marrë pikët e plota. Ne futemi në çdo ndeshje vetëm për maksimumin. Është një ekip që duhet respektuar, por vetëm kaq. Do të japim më të mirën që të dalim nga fusha me kokën lart. Po i mëshoj shumë kësaj pjese, pasi nuk mund të kënaqemi me barazimin. Ne synojmë fitoren dhe për këtë po përgatitemi”, kështu e nisi fjalën e tij, lojtari i linjës së djathtë. Grupi do të jetë i plotë në këtë transfertë delikate. Rikthehet Roland Disha nga skualifikimi, por minuta mund të ketë edhe i rikuperuari Mikel Canka. Peqinasi e quan “bonus” organikën e plotë, por ka një merak.

“Luajmë në transfertë dhe përballë një ekipi me pretendime. Kaq mjafton për të kuptuar vështirësinë. Sidoqoftë, ne e dimë çfarë duam dhe me këtë bindje do të luajmë. Duhet të jemi të kujdesshëm në fushë dhe këtë e kam me merak. Të tregohemi të saktë dhe të luajmë me besim për pikët maksimale”, deklaroi 32-vjeçari. Lushnjarët dje kanë pushuar, ndërsa sot do t’i rikthehen terrenit stërvitor, për të vijuar me përgatitjet për ndeshjen me Apoloninë. Derbi i Myzeqesë përkon me fillimin e fazës së dytë të kampionatit, ndaj verdhejeshilët kërkojnë ta nisin me këmbën e mbarë.

ALBAN ALUSHI -PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"