Mbrojtësi i Teutës tregon sekretin e ndryshimit me Begejën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 16, 2018 | 22:09

Mbrojtësi i Teutës tregon sekretin e ndryshimit me Begejën

Teuta nuk e diskuton qëndrimin në Kategorinë Superiore kur kanë mbetur edhe dy ndeshje për t’u zhvilluar. Bregdetarëve u mjafton vetëm një pikë për të arritur objektivin më minimal të këtij sezoni dhe besimi është i madh se do të sigurohet që në ndeshjen e radhës kundër Lushnjës. Edhe pse përballë është një kundërshtar i lehtë, që nuk ka objektiv, durrsakët e vlerësojnë kundërshtarin.

silvester shkalla

Mbrojtësi Silvestër Shkalla, që shënoi golin e parë në suksesin 3-1 kundër Skënderbeut thotë se Teuta duhet ta mbyllë me fitore kampionatin. “Është një ndeshje e vështirë ndaj një kundërshtari, që na ka hapur shumë punë në përballjet që kemi pasur këtë sezon. E vlerësojmë maksimalisht, por në shtëpinë tonë nuk mendojmë asnjë rezultat tjetër përveç fitores. Do të japim më të mirën, siç kemi bërë deri tani për të mposhtur çdo kundërshtar”, tha qendërmbrojtësi për “Panorama Sport”. Teutës i mjafton edhe një pikë për të siguruar qëndrimin në Superiore, megjithatë 22-vjeçari thotë se nuk i kënaq barazimi: “Kjo është ndeshja e fundit për këtë vit në shtëpi dhe nuk e mendojmë barazimin. Duam vetëm fitoren për të kënaqur sadopak tifozët tanë, të cilët i kemi bërë me zemër këtë sezon.

Çdo rezultat tjetër për mua do të kishte shijen e humbjes”. Në rast se Teuta do të kishte katër pikët që i ka lënë me Lushnjën, në këtë moment do të luftonte për Europë dhe në kampin durrsak trishtimi është i madh. “Është e vërtetë që nëse do të kishim ato pikë, tani do të luanim për një objektiv tjetër. Në fakt ky ka qenë objektivi ynë që në fillim të këtij sezoni, por më pas situata doli nga kontrolli dhe ndodhemi në këtë pozita që jemi. Gjithsesi, me ndeshjet që kemi bërë e meritojmë të jemi më lart në klasifikim, pasi jemi një ekip që prodhojmë futboll dhe këtë e kemi treguar.

Madje ne jemi ekipi i tretë që ka shënuar më shumë gola, megjithatë në këtë moment rëndësi ka të mbyllim sa më mirë kampionatin dhe të marrim fitore në ndeshjet e fundit”, vazhdoi Shkalla, që më pas u ndal te ecuria e bregdetarëve: “Me afrimin e trajnerit Begeja, grupi u bë më i bashkuar. U fut një frymë e re dhe të gjithë kishin më tepër impenjim, ndoshta nga fakti që rrezikonim edhe më shumë. Profesori ka bërë një punë shumë të mirë gjatë kësaj periudhe dhe rezultatet duken në fushë. Nëse do të kishte dhe një fazë tjetër e them me bindje se ne do të ishim për Europë dhe do ta siguronim me patjetër”.

D.Xhepollari

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"